Gjermania e dëbon kryetarin e Qendrës Islame të Hamburgut, Mohammad Mofatteh
Gjermania i ka thënë udhëheqësit iranian të Qendrës Islame të Hamburgut, organizatë tashmë e ndaluar me ligj, se do të dëbohet nga vendi dhe se ka dy javë afat për t’u larguar, thanë të enjten autoritetet në qytetin e pasur gjerman.
Ministria e Punëve të Brendshme e qytetit shtet tha në një deklaratë se e kishte informuar Mohammad Hadi Mofatteh-un se ai ka kohë deri më 11 shtator që të largohet, në të kundërtën do të dëbohet, raporton agjencia “Reuters”.
Mofatteh-u ka qenë udhëheqës i Qendrës Islame të Hamburgut nga vera e vitit 2018, u tha më tej në deklaratë.
Iraniani nuk iu përgjigj menjëherë një kërkese të agjencisë “Reuters” për koment përmes rrjeteve sociale.
Sipas të gjeturave të agjencisë për inteligjencë të brendshme në Hamburg, ai ishte zëvendës zyrtar i liderit suprem të Iranit, Ayatollah Ali Khamenei, në Gjermani si drejtor i Qendrës Islame të Hamburgut deri rishtazi.
Gazeta “Bild” dhe televizioni NDR raportuan të parët rreth urdhrit për dëbimin e kësaj figure.
Llogaritë në rrjete sociale të ndërlidhura me Qendrën Islame të Hamburgut dhe uebfaqja e saj janë mbyllur në Gjermani, pasi autoritetet i ndaluan me ligj këtë grup dhe organizatat filiale në korrik për “ndjekje të qëllimeve radikale islame”, sipas Ministrisë së Brendshme federale.
Kjo ministri tha se Qendra Islame e Hamburgut, që përfshin njërën prej xhamive më të vjetra në Gjermani, kishte vepruar si përfaqësuese e drejtpërdrejtë e Khameneit dhe synonte që të sillte revolucion islam në Gjermani.
Pas mbylljes së Qendrës Islame të Hamburgut, Irani e ka thërritur në takim ambasadorin gjerman në Teheran./Nacionale