Gjermania çohet në GjND nga një shtet për shkak të ndihmës ndaj Izraelit
Shteti i Amerikës Qendrore, Nikaragua, ka paraqitur një rast në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë kundër Gjermanisë për dhurim të ndihmave financiare e ushtarake Izraelit dhe për heqjen e fondeve për agjencinë e OKB-së për refugjatët palestinezë, UNRWA, njoftoi të premten gjykata.
Nikaragua kërkoi nga GjND-ja, e njohur edhe si Gjykata Botërore, që të lëshojë masa urgjente me të cilat Berlinit do t’i kërkohej që t’i ndalë ndihmat ushtarake për Izraelin dhe ta shfuqizojë vendimin për ndalimin e fondeve për agjencinë UNRWA, raporton agjencia “Reuters”.
Ministria e Jashtme e Gjermanisë nuk iu përgjigj menjëherë një kërkese për koment. Gjykata zakonisht cakton një datë për një seancë dëgjimore për çfarëdo kërkese për masa urgjente disa javë pas paraqitjes së ndonjë rasti.
Sipas pretendimit të Nikaraguas, Gjermania është duke i shkelur Konventën për Gjenocidin të vitit 1948 dhe Konventat e Gjenevës të vitit 1949 rreth ligjeve të luftës në territoret e pushtuara palestineze.
“Përmes dërgimit të pajisjeve ushtarake dhe tani duke ia hequr fondet UNRWA-së, që i ofron përkrahje thelbësore popullsisë civile, Gjermania është duke e lehtësuar kryerjen e gjenocidit” – thuhet në dokumentet e paraqitura nga shteti i largët.
Donatorë të rëndësishëm të agjencisë UNRWA, përfshirë Shtetet e Bashkuara dhe Gjermaninë, e pezulluan financimin e saj pas akuzave se rreth 12 prej dhjetëra mijëra punëtorëve palestinezë të saj ishin të dyshuar për përfshirje në sulmet e 7 tetorit në Izrael nga Hamasi.
Në dokumentet e Nikaraguas pretendohet se masat urgjente janë të nevojshme për shkak të “pjesëmarrjes [së Gjermanisë] në gjenocidin e vazhdueshëm bindës dhe shkeljeve serioze të së drejtës humanitare ndërkombëtare” në Rripin e Gazës.
Ky pretendim i shtohet rastit që Afrika e Jugut e ka paraqitur kundër Izraelit nën akuzën për kryerjen e gjenocidit kundër palestinezëve në Gaza.
Gjermania është njëra nga eksportueset më të mëdha të armëve në Izrael, bashkë me Shtetet e Bashkuara, sipas ekspertëve të OKB-së.
Muajin e kaluar, GjND-ja tha se pretendimet e Afrikës së Jugut se Izraeli e ka shkelur Konventën e Gjenocidit nuk janë të pambështetura dhe urdhëroi masa urgjente, përfshirë një thirrje që Izraeli t’i ndërpresë të gjitha aktet potenciale të gjenocidit në Gaza.
Izraeli i ka mohuar akuzat për gjenocid dhe ka thënë se e ka të drejtën për ta mbrojtur veten.
Sipas traktatit kundër gjenocidit, shtetet jo vetëm që pajtohen për të mos kryer gjenocid, por edhe për të parandaluar dhe ndëshkuar ndonjë gjenocid të mundshëm. Traktati i cilëson shkelje të marrëveshjes edhe bashkëfajësinë në gjenocid dhe përpjekjen për ta kryer atë.
Përktheu: Nacionale/Nasuf Abdyli