Gjermania arreston tre ukrainas nën dyshimin për spiunazh
Gjermania ka arrestuar tre shtetas ukrainas nën dyshimin për aktivitet të agjentëve të spiunimit të lidhur me dërgesën e pakove që përmbanin lëndë shpërthyese, thanë të mërkurën prokurorët.
Besohet se të dyshuarit kanë qenë në kontakt me individë që punojnë për institucionet shtetërore ruse, thanë në një deklaratë prokurorët federalë gjermanë, raporton agjencia e lajmeve “Reuters”.
Dy prej burrave të arrestuar, të identifikuar sipas ligjeve gjermane të privatësisë vetëm si Vladyslav T. Dhe Daniil B., u arrestuan gjatë fundjavës në Gjermani. Një tjetër, i identifikuar si Yevhen B., u arrestua të martën në Zvicër.
“Të pandehurit dyshohen fuqishëm për veprim si agjentë me qëllim të sabotimit” – thuhet më tej në deklaratë, ku ata akuzohen se janë pajtuar për të kryer zjarrvënie serioze dhe sigurim të lëndëve shpërthyese.
Autoritetet gjermane i kishin paralajmëruar bizneset në gushtin e vitit të kaluar se pako që përmbanin pajisje ndezëse ishin përfshirë nga zjarri gjatë transportit në pjesë të ndryshme të Evropës.