Gjermania arreston pesë të mitur, dyshohen për formimin e një grupi terrorist djathtist
Autoritetet gjermane të mërkurën arrestuan pesë adolegjentë të dyshuar për themelimin e një grupi terrorist të së djathtës ekstreme dhe thanë se në mesin e akuzave ndaj tyre përfshihen vrasja në tentativë dhe zjarrvënia e rëndë.
Arrestimi i këtyre personave vjen pas sulmeve me zjarrvënie ndaj një qendre të komunitetit dhe një strehimoreje për refugjatë, raporton agjencia e lajmeve “Reuters”.
Prokurorët federalë thanë në një deklaratë se pesë të arrestuarit janë të mitur meshkuj që kanë themeluar një grup që e ka paraqitur veten si “vala e fundit e mbrojtjes” për ta mbrojtur “kombin gjerman”.
Ata përmendën tetë anëtarë të grupit, duke ua zbuluar emrat dhe inicialet e mbiemrave, përfshirë tre të cilët ishin arrestuar më parë. Mosha e tyre nuk u publikua.
“Qëllimi (i grupit) është që të kryejë akte dhune kryesisht kundër emigrantëve dhe kundërshtarëve politikë për ta sjellë shembjen e sistemit demokratik të Gjermanisë” – u tha në deklaratë.
Dy prej pesë të arrestuarve besohet se kishin kryer sulm me zjarrvënie në një qendër kulturore të komunitetit në tetor në rajonin lindor të Brandenburgut.
Dy anëtarë të tjerë të grupit, të cilët ishin arrestuar më parë, akuzohen për thyerjen e një dritareje dhe hedhjen e fishekzjarrëve drejt një strehimoreje për emigrantë në Saksoni në janar.
Në deklaratë u tha se mbi 220 oficerë policie ishin të përfshirë në arrestimin e pesë personave dhe në bastisjen e objekteve në pesë rajone./Nacionale