Gjermanët të zemëruar me shtrenjtimin e dynerit, kërkojnë subvencione për të - NACIONALE

Gjermanët të zemëruar me shtrenjtimin e dynerit, kërkojnë subvencione për të

2 vjet më parë

nga NACIONALE

Rritja e çmimit të dynerit ka nxitur thirrje gjithnjë më të shumta në Gjermani për hartimin e një programi të subvencioneve që ushqimi i prekur nga inflacioni, ndër më të parapëlqyerit në këtë shtet, të mbahet i përballueshëm, përderisa politikanët raportojnë se ai shpesh përmendet në bisedat me votuesit e tyre.

Kancelari Olaf Scholz është mësuar aq shumë me pyetjet për çmimet e dynerit gjatë paraqitjeve publike, saqë Qeveria ka shkruar edhe në rrjete sociale për të shpjeguar se rritja e çmimeve ka ndodhur pjesërisht për shkak të rritjes së pagave dhe kostos së energjisë, raporton gazeta "The Guardian".

“Është goxha e habitshme që kudo që shkoj, kryesisht nga të rinjtë, pyetem nëse nuk duhet të ketë frenim të çmimit për dynerin” – tha kancelari gjerman.

Partia e së majtës ekstreme, “Die Linke”, gjithashtu po e shfrytëzon këtë çështje, duke bërë thirrje në një propozim që synon ta paraqesë para deputetëve për vendosjen e çmimit tavan për dynerin, në mënyrë të ngjashme me masën në disa pjesë të vendit për kontrollimin e çmimeve të larta të qirasë. Kjo parti thotë se çmimi i një dyneri tashmë ka shkuar në 10 euro në disa qytete, duke u rritur nga katër euro, sa ishte vetëm para dy vjetëve.

“Die Linke” propozon çmim tavan prej 4,9 eurosh për dynerin, ndërsa për të rinjtë propozon që ky ushqim të kushtojë më së shumti 2,9 euro, sidomos për ata që vijnë nga familje me të ardhura më të ulëta.

Nga tregtia e dynerave – të sjellë në Gjermani nga imigrantët turq, të cilët e kanë përshtatur ushqimin sipas shijeve lokale – vlerësohet se qarkullojnë shtatë miliardë euro në vit në këtë shtet.

Duke u mbështetur në vlerësimin se 1,3 miliard dynera hahen në Gjermani çdo vit – 400 mijë në ditë vetëm në Berlin – një program i tillë subvencionimi do të kushtonte 4 miliardë euro në vit, sipas përllogaritjes së partisë “Die Linke”.

Në mesin e disa reagimeve në rrjete sociale, disa të rinj kanë bërë thirrje që në pushtet të kthehet ish-kancelarja Angela Merkel, duke argumentuar se ajo “e kishte dynerin nën kontroll”./Nacionale/Nasuf Abdyli

Lajme të ngjashme