Gjermanët ia huqin si babushasit e Lipjanit: Për luanin që tuteshin, tani thonë se është derr i egër
Autoritetet gjermane do të anulojnë një operacion kërkimi për një luaneshë që dyshohej se kishte ikur nga kopshti i izoluar, pasi nuk kanë gjetur dëshmi për praninë e saj.
Policia gjermane ka qenë në kërkim të kafshës për më shumë se një ditë, pasi ishte njoftuar nga publiku, por nuk ka gjetur asnjë shenjë të luaneshës, raporton televizioni BBC.
Pasi biseduan me ekspertët, forcat e sigurisë tani besojnë se bëhet fjalë për një derr të egër e jo luaneshë.
Asnjë shenjë e këmbëve të luaneshës apo lëndë e ADN-së së saj ose jashtëqitje nuk është gjetur në zonat ku mendohej se mund të ndodhej kafsha e rrezikshme.
“Nuk ka rrezik akut”- tha Michael Grubert, kryetar i zonës Kleinmachnow, ku ishte parë për herë të parë kafsha, në një konferencë për gazetarë të premten.
Megjithatë, ai shtoi se policia do të qëndrojë e vëmendshme, nëse situata ndryshon.
Më herët, policia kishte thënë se dy policë e kishin parë kafshën rreth 20 metra larg gjatë natës të enjten dhe e kishin identifikuar atë si “mace të madhe”.
Megjithatë, të tjerët nuk ishin të sigurt. Një ekspert i tha radios lokale berlinase, RBB, se nga pamjet që i kishte parë, kafsha më shumë dukej si derr i egër, të cilët janë të zakonshëm në atë pjesë të vendit.
Operacioni i kërkimit u zgjerua të premten me rreth 120 policë e ekspertë të botës së egër, të cilët kërkuan në zona malore.
Autoritetet përdorën edhe dronë, helikopterë dhe kamera termale.
Në Kosovë, një raportim interesat ishte publikuar në RTK para shumë viteve. Disa banorë afër Lipjanit kishin thënë se kishin parë një kafshë misterioze, e cila, sipas tyre, e ndërronte formën. Për hollësi, shikojeni videon e mëposhtme: