Gjeorgjia e parandalon shitjen e uraniumit me vlerë milionëshe, mund të përdorej për bombë
Gjeorgjia ka arrestuar dy persona për trajtimin dhe tentativën për shitjen e uraniumit me vlerë të tre milionë dollarëve dhe i cili do të mund të përdorej për prodhimin e një bombe vdekjeprurëse, tha të enjten shërbimi kombëtar i sigurisë.
Prokurori i përgjithshëm tha se një gjeorgjian dhe një shtetas turk janë arrestuar dhe janë akuzuar për blerje, posedim dhe asgjësim të paligjshëm të substancave radioaktive, raporton agjencia e lajmeve “Reuters”.
Dy personat u arrestuan në qytetin perëndimor, Batumi, në bregdetin e Detit të Zi, dhe mund të dënohen më së shumti me dhjetë vjet burgim.
“… shtetasi i Gjeorgjisë në mënyrë të paligjshme e bleu dhe e ruajti substancën radioaktive uranium… (dhe) u mundua që t’ia shiste materialin e përmendur bërthamor shtetasit turk për tre milionë dollarë” – thuhet në deklaratën e prokurorit, në të cilën nuk u përmendën emrat e të arrestuarve.
Shërbimi Shtetëror i Sigurisë tha se kishte parandaluar një “krim ndërkombëtar” për uraniumin që do të mund të përdorej për të bërë një bombë vdekjeprurëse që do të shkaktonte viktima masive.
E kontaktuar nga “Reuters”-i, agjencia e sigurisë refuzoi që të jepte ndonjë hollësi të mëtejme për atë se në çfarë niveli ishte i pasuruar uraniumi.
Agjencia Ndërkombëtare e Energjisë Bërthamore, e cila është pjesë e OKB-së, nuk iu përgjigj menjëherë një kërkese për koment.
Siguria e materialeve bërthamore ishte njëri nga shqetësimet më të mëdha pas rënies së Bashkimit Sovjetik më 1991, ku bënte pjesë edhe Gjeorgjia. Kanë ndodhur disa incidente ku përfshihej tregtia e paligjshme e materialeve bërthamore në Gjeorgji dekadave të fundit./Nacionale