Gjenerali gjerman thotë se Rusia mund të kryejë sulm të kufizuar ndaj NATO-s në çdo kohë
Rusia ka kapacitet për një sulm të kufizuar kundër territorit të NATO-s në çfarëdo kohe, por një vendim për të vepruar do të varej nga pozicioni i aleatëve perëndimorë, paralajmëroi një oficer i lartë ushtarak gjerman.
“Nëse i shikojmë kapacitetet e tanishme dhe fuqinë luftarake të Rusisë, ky shtet do të mund të niste një sulm të shkallës së ulët kundër territorit të NATO-s që nesër” – tha në një intervistë me agjencinë e lajmeve “Reuters” Gjeneral Lejtënant Alexander Sollfrank.
“[Sulm] i vogël, i kufizuar në aspektin rajonal, asgjë e madhe – Rusia është shumë e kufizuar në Ukrainë për atë” – tha ai.
Sollfrank, i cili e udhëheq komandën e operacioneve të përbashkëta dhe e mbikëqyr planifikimin e mbrojtjes, gjithashtu iu dha jehonë paralajmërimeve të NATO-s se Rusia mund të organizojë sulm të shkallës së lartë ndaj aleancës me 32 vende anëtare hiç më larg se në vitin 2029, nëse përpjekjet e saj për armatosje vazhdojnë.
Duke folur në selinë qendrore të komandës në pjesën veriore të Berlinit, Sollfrank tha se pavarësisht hapave prapa në Ukrainë, forca ajrore ruse vazhdon të ketë fuqi substanciale luftarake dhe forcat bërthamore e raketore mbeten të pandikuara.
Sipas tij, përderisa Flota e Detit të Zi ka pësuar humbje domethënëse, flotat e tjera ruse nuk janë zvogëluar.
“Forcat tokësore janë duke pësuar humbje, por Rusia thotë se synon që t’i fuqizojë shifrat e përgjithshme të trupave në 1,5 milion ushtarë” – deklaroi gjenerali gjerman.
“Dhe Rusia ka mjaftueshëm tanke të betejave për të bërë një sulm të kufizuar të përfytyrueshëm hiç më larg se nesër” – shtoi ai, pa thënë se një sulm i tillë tashmë ishte duke u planifikuar./Nacionale