Gjendet i vdekur në ShBA sinjalizuesi që kishte ngritur shqetësim për standardet e kompanisë “Boeing” - NACIONALE

Gjendet i vdekur në ShBA sinjalizuesi që kishte ngritur shqetësim për standardet e kompanisë “Boeing”

2 vjet më parë

nga NACIONALE

Një ish-punëtor i prodhuesit amerikan të aeroplanëve, “Boeing”, i njohur për ngritjen e shqetësimit rreth standardeve të prodhimit në këtë kompani, është gjetur i vdekur në ShBA.

John Barnett kishte punuar për kompaninë “Boeing” për 32 vjet, deri në pensionimin e tij më 2017, raporton televizioni BBC.

Në ditët para vdekjes, ai kishte qenë duke dhënë dëshmi në një padi të sinjalizuesve kundër kompanisë.

Kompania “Boeing” tha se është e pikëlluar me lajmin për vdekjen e Barnett-it. Mjeku ligjor në distriktin Charleston ia konfirmoi BBC-së të hënën vdekjen e ish-punëtorit.

Ai tha se 62-vjeçari kishte vdekur nga një plagë “e vetëshkaktuar” më 9 mars dhe se policia ishte duke e hetuar rastin.

Nga viti 2010, Barnett-u kishte punuar si menaxher i cilësisë në fabrikën në Charleston-in Verior, ku prodhohet aeroplani i tipit “787 Dreamliner”.

Më 2019, Barnett-i i kishte thënë BBC-së se punëtorët nën presion kishin qenë duke përshtatur pjesë që ishin nën standarde në aeroplanin që ishte në linjën e prodhimit.

Ai gjithashtu kishte thënë se kishte zbuluar probleme serioze sistemet e oksigjenimit, që do të mund të nënkuptonin se çereku i maskave për frymëmarrje nuk do të funksiononin në rast urgjence.

Barnett-i kishte thënë pak kohë pas fillimit të punës në Karolinën e Jugut se ishte shqetësuar se shtytja për të prodhuar aeroplanë të rinj nënkuptonte se procesi i montimit ishte i nxituar dhe siguria ishte komprometuar, por kompania e ka mohuar këtë.

Ai më vonë i kishte thënë BBC-së se punëtorët kishin dështuar që t’i ndiqnin procedurat me të cilat synohej përcjellja e pjesëve nëpër fabrikë, duke e lejuar zhdukjen e pjesëve me defekte.

Sipas tij, në disa raste, pjesë nën stardarde ishin hequr nga koshat e mbeturinave dhe u ishin vendosur aeroplanëve që po prodhoheshin për t’i parandaluar vonesat në linjën e prodhimit.

Barnett-i kishte thënë se i kishte njoftuar menaxherët e tij për shqetësimet që i kishte, por se nuk ishin ndërmarrë veprime në lidhje me to.

Kompania “Boeing” i ka mohuar pretendimet e tij. Megjithatë, një rishikim i vitit 2017 nga Administrata Federale e Aviacionit e ShBA-së i kishte vërtetuar disa nga shqetësimet e Barnett-it.

Ky rregullator kishte vlerësuar se vendndodhja e të paktën 53 pjesëve “jo konforme” në fabrikë nuk dihej dhe se ato konsideroheshin të humbura. Prodhuesi ishte urdhëruar që të ndërmerrte masa korrigjuese.

Përktheu: Nacionale/Nasuf Abdyli

Lajme të ngjashme