Gjenden gjashtë koka njerëzish në një rrugë në Meksikë - NACIONALE

Gjenden gjashtë koka njerëzish në një rrugë në Meksikë

1 vit më parë

nga NACIONALE

Gjashtë koka të njerëzve janë gjetur në një rrugë në pjesën qendrore të Meksikës, në një zonë që zakonisht nuk është e ndërlidhur me dhunën nga kartelet e drogës.

Autoritetet lokale i gjetën kokat të martën në mëngjes në një rrugë që i lidh dy shtetet meksikane kryesisht paqësore, Puebla dhe Tlaxcala, raporton televizioni BBC.

Policia nuk ka përmendur ndonjë motiv për vrasjen e këtyre personave dhe as nuk ka thënë se cilat grupe kriminale mund ta kenë kryer atë.

Mediat lokale raportuan se një batanije ishte lënë në vendin e ngjarjes me një porosi ku jepej një paralajmërim ndaj bandave rivale dhe mësa duket ishte nënshkruar nga një grup i quajtur “La Barredora”.

Ky është emri i njëjtë si i një grupi kriminal pak të njohur që vepron në shtetin perëndimor meksikan, Guerrero, por nuk është e qartë nëse kjo bandë qëndron prapa sulmit ose pse do ta kryente atë.

Zyra e prokurorit lokal tha se kokat e gjetura në Tlaxcala ishin të burrave dhe ka nisur një hetim për vrasjen e tyre, raporton agjencia e lajmeve AFP.

Përpos trafikimit të drogës, në rajon ekziston edhe problemi i trafikimit të naftës, me anë të të cilit grupet që qëndrojnë prapa aktiviteteve ilegale sigurojnë miliarda dollarë në vit.

Deri më tani, autoritetet federale nuk e kanë komentuar rastin e vrasjes së gjashtë personave. Puebla dhe Tlaxcala nuk janë vende të dhunës ekstreme nga kartelet e drogës, të cilat janë të njohura për veprimtarinë e tyre në pjesë të tjera të vendit.

Në qershor, trupat e 20 njerëzve – katër prej tyre me koka të prera – u gjetën në Sinaloa, shtet meksikan i zhytur në dhunën e bandave./Nacionale

Lajme të ngjashme