Gjashtë të vrarë nga sulmi raketor rus në Zaporizhia të Ukrainës - NACIONALE

Gjashtë të vrarë nga sulmi raketor rus në Zaporizhia të Ukrainës

1 vit më parë

nga NACIONALE

Numri i të vdekurve nga një sulm raketor rus, nga i cili u shkatërrua një klinikë në qytetin Zaporizhia të Ukrainës të martën, ka shkuar në gjashtë, ndërsa katër njerëz të tjerë mbeten nën rrënoja, thanë të mërkurën guvernatori rajonal dhe shërbimet emergjente.

Guvernatori Ivan Fedorov, tha në rrjetin “Telegram” se, përpos të vrarëve, 22 njerëz të tjerë kanë pësuar lëndime, raporton agjencia e lajmeve “Reuters”.

“Të gjitha shërbimet emergjente të qytetit janë duke punuar në vendin e ngjarjes” – shtoi ai.

Shërbimi Emergjent Shtetëror i Ukrainës tha se punëtorët e tij arritën gjatë natës që të nxirrnin dy gra nga rrënojat e ndërtesës së goditur.

Në fotografi të publikuara në kanalin e shërbimeve emergjente në “Telegram” shihen punëtorët e shpëtimit duke punuar natën me makineri nën rrënojat e ndërtesës së shembur.

Rusia rregullisht kryen sulme ajrore në Zaporizhia dhe në rajonin përreth saj. Të premten e kaluar, dhjetë njerëz u vranë dhe mbi 20 të tjerë u plagosën nga një sulm rus në këtë qytet.

Të dyja palët mohojnë se i vënë në shënjestër civilët gjatë sulmeve të tyre, duke thënë se qëllimi i sulmeve është që të minohet infrastruktura kyçe e armikut.

Të martën, presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky, u bëri thirrje aleatëve të tij që të ofronin edhe 10 deri në 12 sisteme të mbrojtjes ajrore “Patriot”, të cilat, sipas tij, do ta mbronin plotësisht qiellin e Ukrainës./Nacionale

Lajme të ngjashme