Gjashtë të vdekur e tre të zhdukur nga vërshimet e rrëshqitja e dheut në Japoni
Gjashtë persona kanë vdekur dhe tre të tjerë janë zhdukur nga ato që janë quajtur “reshjet më të dendura të shiut ndonjëherë”, të cilat kanë shkaktuar vërshime e rrëshqitje dheu në pjesën jugperëndimore të Japonisë.
Agjencia japoneze e meteorologjisë i paralajmëroi banorët në Kyushu – njëri nga katër ishujt kryesorë të vendit – që të qëndronin syçelë për mundësinë e rrëshqitjes së re të dheut, rrezik i zakonshëm në zonat malore, pas reshjeve të dendura, raporton gazeta “The Guardian”.
Megjithatë, kjo agjenci të martën e uli shkallën e paralajmërimit të veçantë që e kishte publikuar më herët për reshje të dendura në një zonë ku jetojnë më shumë se 1,7 milion njerëz, në pjesët veriore të ishullit.
Japonia është goditur nga reshje të dendura të pazakonshme të shiut dhe tajfune të fuqishme viteve të fundit, duke e shtuar frikën për brishtësinë e vendit në raport me krizën klimatike.
“Ky është shiu më i dendur që është përjetuar ndonjëherë” në rajon, tha Satoshi Sugimoto, një zyrtar i agjencisë së meteorologjisë. “Situata është e tillë që jeta e njerëzve është në rrezik dhe siguria e tyre duhet të garantohet”- shtoi ai.
Sekretari i kabinetit qeveritar, Hirokazu Matsuno, tha se deri në gjashtë persona mendohet se kanë vdekur si rezultat i reshjeve të dendura që kanë shkaktuar dalje të lumenjve nga shtretërit e tyre dhe që i kanë penguar shërbimin e trenave të shpejtë. Reshjet kanë shkaktuar edhe bllokim të rrugëve e ndërprerje të furnizimit me ujë.
Zyra e kryeministrit tha se është themeluar një task-forcë për të bashkërenduar një reagim për këtë situatë.
“Kemi pranuar raportime se disa lumenj kanë vërshuar... dhe se rrëshqitje dheu kanë ndodhur në pjesë të ndryshme të vendit”- tha Matsuno para gazetarëve. “Qeveria është duke e bërë më të mirën e vet për të siguruar një pamje të plotë të dëmit dhe duke ndërmarrë masa, duke e vënë të parën jetën e njerëzve”- shtoi ai.
Shkencëtarët thonë se ngrohja globale është duke e shtuar rrezikun për shi të dendur në Japoni. Agjencia e motit tha se në disa pjesë në veri të ishullit Kyushu, reshjet e shiut kishin vazhduar për më shumë se një javë.