Gjashtë koreanoveriorë donin të ktheheshin në atdhe, Koreja e Jugut ua mundëson - NACIONALE

Gjashtë koreanoveriorë donin të ktheheshin në atdhe, Koreja e Jugut ua mundëson

1 vit më parë

nga NACIONALE

Koreja e Jugut ka riatdhesuar gjashtë koreanoveriorë që aksidentalisht kishin hyrë në ujërat e Jugut më herët këtë vit. Ministria e Unifikimit në Seul tha se ata vazhdimisht kishin shprehur dëshirë për t’u kthyer në vendin e tyre.

Dy prej koreanoveriorëve kishin hyrë në ujërat e vendit fqinj në mars dhe kishin qëndruar për katër muaj – periudha më e gjatë e regjistruar për persona që nuk kanë dezertuar, raporton televizioni BBC.

Katër të tjerët janë detarë që kishin kaluar një kufi të kontestuar detar mes Koresë së Veriut dhe Koresë së Jugut në maj.

Ky është kthimi i parë i tillë nën presidencën e Lee Jae-myungut të Koresë së Jugut, i cili kishte bërë fushatë për përmirësimin e lidhjeve me fqinjin verior. Dy shtetet ishin munduar me muaj pa sukses që ta bashkërendonin kthimin e këtyre personave.

Në të kaluarën kanë ndodhur disa raste kur banorë të Koresë së Veriut kanë hyrë pa qëllim në ujërat e fqinjit jugor. Ata shpesh përdorin barka të vogla të drunjta që nuk mund të drejtohen lehtë, nëse një herë humb kontrolli mbi to,

Më parë, autoritetet e dy shteteve janë bashkërenduar mes vete për t’i kthyer ata që kanë dashur të kthehen në Korenë e Veriut. Kthimi i tyre është bërë përmes kufirit tokësor.

Megjithatë, Koreja e Veriut i kishte ndërprerë të gjitha linjat e komunikimit me vendin fqinj në prill të vitit 2023, kur tensionet mes dy shteteve ishin të larta.

Tetë muaj më vonë, udhëheqësi i Koresë së Veriut, Kim Jong Un, deklaroi se bashkimi i vendit të tij me Korenë e Jugut nuk ishte më i mundshëm.

Kanalet e vetme të njohura të komunikimit që mbeten aktive janë Komanda e Kombeve të Bashkuara, që udhëhiqet nga ShBA-ja, dhe mediat./Nacionale

Lajme të ngjashme