“Gati e pakuptimtë”: Agjencitë e ndihmave e kritikojnë rezolutën e zbutur të OKB-së për Gazën - NACIONALE

“Gati e pakuptimtë”: Agjencitë e ndihmave e kritikojnë rezolutën e zbutur të OKB-së për Gazën

2 vjet më parë

nga NACIONALE

Një rezolutë e miratuar të premten nga Këshilli i Sigurimit i OKB-së do të jetë “gati e pakuptimtë” për jetën e civilëve në Gaza, ka thënë organizata “Mjekët pa Kufij” në një deklaratë.

Me rezolutën për të cilën më në fund u arrit kompromis bëhet thirrje për pauza humanitare mes Izraelit e Hamasit, shtim të ndihmave në Gaza e krijim të kushteve që do të mundësojnë përfundim të qëndrueshëm të luftimeve.

Shtetet e Bashkuara dhe Rusia abstenuan në votim, por nuk e shfrytëzuan të drejtën e tyre të vetos për ta bllokuar dokumentin, raporton televizioni CNN.

Megjithatë, organizata “Mjekët pa Kufij” iu bashkua agjencive të tjera të ndihmave në kritikikim e rezolutës si masë joefektive.

“Rezoluta e sotme e Këshillit të Sigurimit me dhimbje nuk e ka atë që kërkohet për ta adresuar krizën në Gaza: një armëpushim i menjëhershëm e i qëndrueshëm. Kjo rezolutë është zbutur deri në pikën që ndikimi i saj ndaj jetës së civilëve në Gaza do të jetë gati i pakuptimtë”- tha drejtoresha ekzekutive e kësaj organizate për ShBA, Avril Benoit.

Sipas saj, mënyra se si Izraeli po e zhvillon luftën “po shkakton vdekje e vuajtje masive në mesin e civilëve palestinezë dhe është e papajtueshme me normat dhe ligjet ndërkombëtare".

“Sigurimi i rrjedhjes së shpejtë të ndihmave humanitare drejt Gazës dhe shpërndarja e sigurt dhe e papenguar e asistencës brenda Gazës” është diçka që do të duhej të zbatohej nga fillimi i krizës dhe nuk do të duhej që të merrte kaq shumë kohë, shtoi zonja Benoit.

Më tej, ajo u bëri thirrje Këshillit të Sigurimit dhe qeverisë amerikane që “ta përqendrojnë vëmendjen e tyre në vendosjen e një armëpushimi dhe të sigurohen që e drejta humanitare ndërkombëtare të mos bëhet thjesht mendim i mëvonshëm në këtë konflikt”.

Komiteti Ndërkombëtar i Shpëtimit reagoi pas miratimit të rezolutës të premten, duke i mirëpritur thirrjet për qasje të menjëhershme humanitare në mbarë Gazën, por theksoi në një deklaratë se “nga një këndvështrim humanitar, dështimi i Këshillit të Sigurimit të OKB-së për të kërkuar armëpushim të menjëhershëm e të qëndrueshëm është i pajustifikueshëm”.

Lajme të ngjashme