Gati 300 të vdekur e mbi 3.000 të lënduar nga luftimet në Sudan, sipas OBSh-së - NACIONALE

Gati 300 të vdekur e mbi 3.000 të lënduar nga luftimet në Sudan, sipas OBSh-së

3 vjet më parë

nga NACIONALE

Drejtori i përgjithshëm i Organizatës Botërore të Shëndetësisë, Tedros Ghebreyesus, tha të mërkurën se gati 300 njerëz kanë vdekur e mbi tre mijë të tjerë janë lënduar nga luftimet në Sudan.

“Situata në Sudan është gjithnjë më shqetësuese dhe zemërthyese. Gati 300 njerëz kanë vdekur deri më tani e mbi tre mijë janë lënduar. E dënoj tërë humbjen e jetës, sidomos sulmet ndaj civilëve dhe kujdesit shëndetësor”- tha zyrtari i lartë i OBSh-së në rrjete sociale.

Ai tha se mungesa e qasjes në ushqim, ujë, rrymë, personel dhe furnizimet mjekësore duke u pakësuar po e bëjnë gati të pamundur funksionimin e shumë objekteve shëndetësore, saktësisht kur atje janë mijëra njerëz që kanë nevojë për kujdes urgjent, raporton agjencia “Anadolu”.

Drejtori i OBSh-së e përsëriti thirrjen e tij që të gjitha palët t’ia vënë veshin thirrjes për armëpushim humanitar, i cili, sipas tij, do ta mundësonte strehimin e njerëzve të ngujuar nga luftimet.

Luftimet u zhvilluan për të pestën ditë radhazi mes ushtrisë sudaneze dhe luftëtarëve të Forcave për Mbështetje të Shpejtë në kryeqytetin Khartoum dhe përreth tij.

Përderisa paramilitarët e akuzuan ushtrinë për sulm ndaj forcave të tyre në jug të kryeqytetit me armë të lehta dhe të rënda, ushtria tha se forca paramilitare po përhap gënjeshtra dhe e shpalli atë grup rebel.

Lajme të ngjashme