Gati 200 mijë njerëz të hospitalizuar në Tajlandë, shkak ndotja e ajrit
Gati 200 mijë persona janë shtruar në spitale këtë javë në Tajlandë, për shkak të ndotjes së rrezikshme të ajrit që ka përfshirë vendin, veçanërishit kryeqytetin Bangkok.
Sipas raportimeve të mediave, ndotja e rëndë që ka ngritur mjegull të dendur në ajër është shkaktuar nga një përzierje e rrezikshme e emetimeve industriale, djegies bujqësore dhe tymrave të automjeteve.
Nivelet në rritje të ndotjes së ajrit në Tajlandë kanë vënë presion të jashtëzakonshëm në shërbimet e kujdesit shëndetësor të vendit, ku që nga fillimi i vitit në spitale janë shtuar më shumë se 1.3 milionë njerëz. Ndërkohë, duke cituar ministrinë e Shëndetësisë së vendit, AFP ka raportuar se vetëm javën e fundit më shumë se 200 mijë njerëz janë shtuar në spital.
Raportohet se kryeqyteti Bangkok, është më i prekuri me cilësinë e ajrit që vazhdon të përkeqësohet për shkak të një kombinimi të ndotjes së automjeteve, emetimeve industriale dhe tymit nga djegia bujqësore.
Ndërkohë, firma monitoruese e ajrit IQAir, e ka renditur destinacionin popullor turistik si qyteti i tretë më i ndotur në botë.
