Gati 100 njerëz ende të zhdukur në Karolinën e Veriut pas uraganit “Helene”
Nëntëdhjetë e dy njerëz janë ende të zhdukur në Karolinën e Veriut, disa javë pasi uragani “Helene” shkatërroi pjesë perëndimore të këtij shteti amerikan, tha të martën guvernatori Roy Cooper.
Në një konferencë për gazetarë që e mbajti të martën, ai paralajmëroi se numri mund të ndryshonte, përderisa zgjidhen më shumë raportime për njerëz të zhdukur, raporton televizioni BBC.
“Dua të paralajmëroj se kjo nuk është shifër përfundimtare, sepse task-forca është duke e vazhduar punën e saj” – tha ai.
Nëntëdhjetë e pesë njerëz dihet që kanë vdekur në Karolinën e Veriut si rezultat i stuhisë, ndërsa më shumë se 220 kanë vdekur gjithsej, përfshirë viktimat në Florida, ku uragani arriti së pari në territor tokësor.
Gjatë konferencës për gazetarë, guvernatori Cooper gjithashtu e përmendi “rrjedhën e vazhdueshme dhe të rrezikshme të dezinformatave” që po qarkullojnë për uraganin, për të cilat tha se po vazhdonin t’i vështirësonin përpjekjet për lehtësimin e situatës.
Sipas tij, dezinformatat e tilla “ngjallin huti dhe i demoralizojnë të mbijetuarit e stuhisë dhe punëtorët e reagimit njësoj”. “Nëse ju jeni duke marrë pjesë në përhapjen e kësaj gjëje, ndaleni. Cilido qoftë qëllimi juaj, njerëzit që ju vërtet po i lëndoni janë ata në perëndim të Karolinës së Veriut që kanë nevojë për ndihmë” – shtoi guvernatori.
Komentet e tij erdhën pasi disa punëtorë federalë janë detyruar që të ballafaqohen me mosbesim në rritje nga disa banorë lokalë si rezultat i përhapjes së një numri të teorive konspirative në lidhje me uraganin “Helene”.
Agjencia Federale për Menaxhimin e Emergjencave e ShBA-së ka thënë se është detyruar që të bëjë ndryshime në operacionet e saj në Karolinën e Veriut, duke u tërhequr për kohë të shkurtër nga një distrikt për shkak të kërcënimeve të nxitura nga dezinformimi.
Teoritë konspirative të rreme – shumë prej tyre të motivuara politikisht – për konfiskimin e tokës, pagesat për ndihma dhe manipulimin e qëllimshëm të motit janë përhapur shpejt në internet.
Sipas raportimeve, disa grupe ekstreme janë aktive në rajon, në përpjekje për t’i kapitalizuar fatkeqësinë dhe thashethemet./Nacionale