Garda Revolucionare iraniane merr përgjegjësinë për sulmin me raketa në Erbil
Garda Revolucionare iraniane ka marrë përgjegjësinë për sulmin me raketa në Erbil, duke e përshkruar zonën e sulmuar si "zemrën e komplotit sionist".
Në orët e para të së dielës, 12 raketa balistike goditën kryeqytetin rajonal kurd verior të Irakut, Erbilin, sipas autoriteteve kurde, me një zyrtar amerikan që akuzoi Iranin për sulmin, i cili synonte gjithashtu strukturën e re të konsullatës amerikane.
Zëdhënësi i Departamentit të Shtetit të SHBA-së e quajti atë një "sulm të egër", por tha se asnjë amerikan nuk u lëndua dhe nuk pati dëme në objektet e qeverisë amerikane në Erbil, raporton Reuters.
Fillimisht, nuk kishte asnjë pretendim zyrtar për përgjegjësinë apo detaje të mëtejshme. Pak orë më pas, Regjimi Islamik në Iran mori drejtpërdrejt përgjegjësinë për sulmin ndaj konsullates amerikane në Erbil.
Forcat amerikane të stacionuara në kompleksin ndërkombëtar të aeroportit të Erbilit janë sulmuar në të kaluarën nga sulmet me raketa dhe dron për të cilat Shtëpia e Bardhë fajëson grupet e milicisë të lidhura me Iranin, por asnjë sulm i tillë nuk ka ndodhur për disa muaj.
