Gantzi thotë se Netanyahu po i vë interesat e veta para atyre të Izraelit
Rivali kryesor politik i kryeministrit Benjamin Netanyahu të Izraelit, Benny Gantz, e ka akuzuar udhëheqësin e Qeverisë se po i vendos interesat e veta personale para interesave të vendit, pasi Netanyahu përsëri të hënën këmbënguli në nevojën që Izraeli ta mbajë kontrollin e kufirit mes Gazës dhe Egjiptit, pozicion që po del të jetë pengesë kyçe për arritjen e armëpushimit.
Duke folur në një konferencë vjetore të martën në Tel-Aviv, kryetari i partisë Uniteti Kombëtar tha se Netanyahut “i ka humbur rruga” dhe se kryeministri “e sheh veten si shteti… kjo është e rrezikshme”, raporton gazeta “The Guardian”.
Netanyahu këmbënguli të hënën në mbrëmje se Izraeli duhet ta mbajë kontrollin e korridorit Filadelfi përgjatë kufirit Gaza – Egjipt, qëndrim për të cilin është paralajmëruar se i rrezikon përpjekjet për arritjen e një marrëveshjeje për armëpushim dhe lirim të pengjeve në luftën me Hamasin.
Në një konferencë për gazetarë të martën në mbrëmje, Gantzi tha se përderisa ky korridor është i rëndësishëm për t’ua parandaluar Hamasit dhe grupeve të tjera palestineze trafikimin e armëve në Gaza, ushtarët do të ishin si “shota që rrinë ulur” dhe nuk do t’i ndalnin tunelet.
Ai gjithashtu e kundërshtoi pohimin e Netanyahut se nëse Izraeli do të tërhiqej nga korridori Filadelfi, presioni ndërkombëtar do ta bënte të vështirë rikthimin atje.
“Ne do të jemi në gjendje që të rikthehemi në Filadelfi, nëse dhe kur të na kërkohet” – tha Gantzi, duke bërë thirrje për mbajtjen e zgjedhjeve të reja.
“Nëse Netanyahu nuk kupton që pas 7 tetorit gjithçka ka ndryshuar... dhe nëse ani nuk është mjaftueshëm i fortë për t’i qëndruar presionit ndërkombëtar për t’u rikthyer në Filadelfi, lëreni që t’i lëshojë çelësat dhe të shkojë në shtëpi” – shtoi Gantzi.