Gajle - gajle kjo dynja: Fermerët në Kore Jugore protestojnë kundër ndalimit të mishit të qenit - NACIONALE

Gajle - gajle kjo dynja: Fermerët në Kore Jugore protestojnë kundër ndalimit të mishit të qenit

2 vjet më parë

nga NACIONALE

Rreth 200 fermerë në Kore Jugore, të cilët rrisin qen për konsum nga njerëzit, mbajtën protestë të enjten afër zyrës presidenciale në kryeqytetin Seul, duke kërkuar që autoritetet ta shfuqizojnë vendimin për ndalimin e praktikës kundërthënëse të vjetër me shekuj.

Dhjetëra fermerë, të cilët ishin munduar që të hynin në rrugën para zyrës presidenciale me kamion të mbushur me qen në kafaze, të cilët synonin t’i lironin, u kthyen prapa nga policia, e cila e kontrolloi ngarkesën e mbuluar me batanije, raporton agjencia “Reuters”.

Partia në pushtet e presidentit Yoon Suk Yeol ka marrë vendim për ndalimin e mbajtjes dhe shitjes së qenve për konsumim të mishit të tyre dhe ofron kompensim financiar për ata që detyrohen t’i mbyllin këto biznese brenda një periudhe 3-vjeçare pa ndëshkim.

Anëtarët e partisë kanë thënë se tani është koha që t’i jepet fund konsumimit të mishit të qenit, duke shtuar se për këtë masë ka përkrahje të gjerë edhe nga partia opozitare, e cila tash për tash e kontrollon Kuvendin, si dhe nga publiku.

Më shumë se gjashtë milionë amvisëri në Kore Jugore kanë qen si kafshë shtëpiake në shtetin me rreth 51 milionë banorë, Vetë presidenti Yeol dhe bashkëshortja e tij, Kim Keon Hee, janë pronarë të gjashtë qenve, përfshirë një qen udhëzues të pensionuar dhe një qen shpëtues.

Sipas një ankete të realizuar vitin e kaluar, gati dy të tretat e banorëve të vendit e kundërshtojnë ngrënien e mishit të qenit, ndërsa vetëm 8 për qind thanë se kishin ngrënë mish të kësaj kafshe gjatë vitit të kaluar, dukshëm më pak se në vitin 2015 – 27 për qind.

Edhe pse praktika e konsumimit të mishit të qenit ka pësuar rënie të popullaritetit, fermerët dhe pronarët e restoranteve që shërbejnë mish të tillë kanë luftuar që ta mbajnë të ligjshëm këtë veprim.

Fermerët e kanë akuzuar zonjën e parë të vendit, kritikuese e zëshme e konsumimit të mishit të qenit, se e ka ushtruar atë që ata e quajnë “presion të papërshtatshëm” ndaj Qeverisë dhe partisë në pushtet për ta marrë këtë vendim.

Lajme të ngjashme