G7: E mbështesim të drejtën e Izraelit për vetëmbrojtje, të ketë pauza humanitare në Gaza - NACIONALE

G7: E mbështesim të drejtën e Izraelit për vetëmbrojtje, të ketë pauza humanitare në Gaza

2 vjet më parë

nga NACIONALE

Kryediplomatët e shteteve të Grupit G7 njoftuam qëndrim të njëzëshëm rreth luftës Izrael – Hamas, duke e mbështetur të drejtën e Izraelit për vetëmbrojtje, duke e dënuar Hamasin dhe duke bërë thirrje për pauza humanitare për ta përshpejtuar dërgimin e ndihmave për palestinezët në Gaza.

Sekretari i Shtetit i ShBA-së, Antony Blinken, dhe ministrat e Jashtëm të Britanisë, Francës, Gjermanisë, Italisë, Kanadasë dhe Japonisë “e theksojnë të drejtën e Izraelit për t’i mbrojtur veten dhe popullin e vet në përputhje me të drejtën ndërkombëtare, përderisa synon që të parandalojë një rishfaqje” të sulmeve të Hamasit ndaj Izraelit, thuhet në deklaratën e Grupit G7.

Kryediplomatët e shtatë shteteve të zhvilluara gjithashtu shprehën mbështetje për “pauza humanitare për t’i lehtësuar asistencën, lëvizjen e civilëve dhe lirimin e pengjeve, të nevojshme urgjentisht”, raporton gazeta “The Times of Israel”.

Për më tepër, dë deklaratë i bëhet thirrje Iranit që “të përmbahet nga ofrimi i mbështetjes për Hamasin dhe nga ndërmarrja e veprimeve të mëtejme që e destabilizojnë Lindjen e Mesme, përfshirë përkrahjen për Hezbollahun libanez dhe aktorët e tjerë jo-shtetërorë, dhe ta shfrytëzojë ndikimin e tij me këto grupe që t’i de-eskalojë tensionet rajonale”.

Grupi G7 gjithashtu e dënoi “rritjen e dhunës ekstremiste të kolonëve të kryer kundër palestinezëve”, për të cilën ministrat thanë se është “e papranueshme, e minon sigurinë në Bregun Perëndimor dhe i rrezikon mundësitë për paqe të qëndrueshme”.

Lajme të ngjashme