G20-a bën thirrje për fundin e luftës në Ukrainë e më shumë ndihma për Gazën - NACIONALE

G20-a bën thirrje për fundin e luftës në Ukrainë e më shumë ndihma për Gazën

1 vit më parë

nga NACIONALE

Udhëheqësit e 20 ekonomive të zhvilluara botërore u mblodhën edhe një herë të martën me një agjendë më pak të ngarkuar, pasi kishin lëshuar një deklaratë natën paraprake.

Dokumenti, që përfshin thirrje për një pakt global për ta luftuar urinë, më shumë ndihma për Gazën dhe përfundimin e luftës në Ukrainë, ishte i ngarkuar me përgjithësime e me pak specifika, raporton agjencia e lajmeve “Associated Press”.

Deklarata e përbashkët u mbështet nga vendet anëtare të grupit, por me të nuk u arrit njëzëshmëria. Me të gjithashtu u bë thirrje për një taksë globale në të ardhmen ndaj miliarderëve dhe për reforma që do ta lejonin zgjerimin e mëvonshëm të Këshillit të Sigurimit të OKB-së përtej pesë anëtarëve të përhershëm.

Në fillim të takimit treditor që zyrtarisht përfundon të mërkurën, ekspertët dyshuan që presidenti Brazilian, Luiz Inacio Lula da Silva, do të mund t’i bindte udhëheqësit e grumbulluar për të arritur ndonjë marrëveshje në një tubim të mbushur me paqartësi për shkak të administratës amerikane në ardhje të presidentit të zgjedhur, Donald Trump, dhe tensioneve të ngritura globale shkaku i luftërave në Lindje të Mesme dhe Ukrainë.

Argjentina sfidoi një pjesë të gjuhës në draftet fillestare dhe ishte në mesin e disa shteteve që nuk e përkrahën tërë dokumentin.

“Edhe pse e përgjithshme, kjo është një befasi pozitive për Brazilin. Ishte një moment, kur kishte rrezik për të mos pasur deklaratë fare. Pavarësisht nga paralajmërimet, ky është një rezultat i mirë për Lulan” – tha Thomas Traumann, konsulent i pavarur politik dhe ish-ministër në Brazil.

Në samitin e Grupit G20 në Brazil nuk mori pjesë presidenti rus, Vladimir Putin, i cili e dërgoi ministrin e Jashtëm, Sergey Lavrov. Putini e ka shmangur pjesëmarrjen në samite të tilla, pasi Gjykata Ndërkombëtare Penale lëshoi një urdhërarrest që i detyron shtetet anëtare që ta arrestojnë atë./Nacionale

Lajme të ngjashme