Futet në përdorim anija elektrike “më e madhe në botë”, e gjatë 130 metra - NACIONALE

Futet në përdorim anija elektrike “më e madhe në botë”, e gjatë 130 metra

1 vit më parë

nga NACIONALE

Një prodhues Australian i anijeve e ka futur në përdorim atë që e përshkruan si anija me bateri më e madhe në botë, duke e përshkruar këtë arritje si “një hap gjigant drejt lundrimit të qëndrueshëm” dhe projektin “më të rëndësishëm” që e ka zhvilluar ndonjëherë.

Kompania “Incat”, e cila bazën e ka në Tazmani, e prodhoi anijen e quajtur “Hull 096”, pasi u kontraktua nga operatori amerikanojugor i trageteve, “Buquebus”, për të ndërtuar një anije që do të lundrojë mes kryeqytetit argjentinas, Buenos Aires, dhe Uruguajit, raporton gazeta “The Guardian”.

Duke e vënë në përdorim anijen në Hobart të premten, kompania tha se ajo do të funksionojë tërësisht me energji nga bateritë elektrike, duke bartur deri 2.100 pasagjerë e 224 automjete matanë Lumit River Plate, i cili e paraqet kufirin mes Argjentinës e Uruguajit.

“Ne kemi qenë duke i ndërtuar anijet udhëheqëse në botë këtu në Tazmani për më shumë se katër dekada dhe anija “Hull 096” është projekti më ambicioz, më kompleks dhe më i rëndësishëm që ne e kemi zhvilluar ndonjëherë” – tha drejtori i kompanisë “Incat”, Robert Clifford.

Ai tha se shpreson që të prodhohen “sa më shumë anije të qëndrueshme që është e mundshme për tregun global, edhe në Australi, edhe jashtë saj”.

Kompania tha se, me 130 metra gjatësi, anija “Hull 096” jo vetëm që është anija elektrike më e madhe në botë, por edhe “automjeti më i madh elektrik i llojit të vet që është ndërtuar ndonjëherë”.

Anija është e pajisur me bateri që peshojnë më shumë se 250 tonë dhe ka më shumë se 40 megavatë/orë kapacitet elektrik.

Industria globale e lundrimit përbën 3 për qind të gazrave që liron në botë çdo vit, sipas Konferencës së OKB-së për Tregti dhe Zhvillim./Nacionale

Lajme të ngjashme