Front i ftohtë me borë në Afrikën e Jugut, pesë të vdekur në një aksident rrugor
Një front i ftohtë që e ka përfshirë Afrikën e Jugut nga fundjava solli reshje të dendura bore që kanë shkaktuar mbyllje të rrugëve, ndërprerje të rrymës dhe një aksident fatal me disa viktima, thanë zyrtarët.
Pesë persona vdiqën në një aksident rrugor në autostradën N2 për shkak të motit të lig, tha të martën zëdhënësi i Departamentit të Transportit në Kepin Lindor, Unathi Binqose, raporton agjencia e lajmeve “Reuters”.
Shërbimi i Motit i Afrikës së Jugut i paralajmëroi qytetarët në fund të javës së kaluar se do të shënohej rënie e madhe e temperaturave këtë javë në mbarë vendin, e shoqëruar me reshje shiu, erëra të dëmshme dhe borë në zonat lindore.
Në Afrikën e Jugut ka rregullisht reshje bore gjatë muajve të saj të dimrit, nga qershori deri në gusht, kur temperaturat bien nën zero gradë Celsius.
Për reshje bore është raportuar nga e hëna në disa provinca, përfshirë Kepin Lindor, Shtetin e Lirë dhe KWaZulu-Natal, duke i nxitur autoritetet që të mbyllin segmente të caktuara në autostradën N2, e cila i lidh provincat.
Kompania e energjisë “Eskom” tha në rrjete sociale se ishte “duke përjetuar një numër të lartë të telefonatave nga konsumatorët në nivel vendi për shkak të ndërprerjeve të gjera të rrymës të shkaktuara nga moti i ashpër”.
Më tej, kjo kompani tha se po sigurohen më shumë burime për ta garantuar zgjidhjen e shpejtë për ndërprerjen e rrymës.
Shërbimi i motit parashikoi se fronti i motit të ftohtë do të qëndrojë deri në mesin e javës./Nacionale