Frikë nga Putini, ShBA ndalon sanksionet për “të dashurën” e tij, Alina Kabaeva
Kanë kaluar disa javë që kur ShBA-ja dhe aleatët e saj vendosën për herë të parë sanksione ndaj kompanive më të mëdha të Rusisë dhe liderëve të saj të biznesit dhe politikës, deri te presidenti Vladimir Putin.
Një raport i ri nga Wall Street Journal zbulon se zyrtarët amerikanë kanë frenuar vendosjen e sanksioneve kundër Alina Kabaeva, një ish-gjimnaste olimpike ruse që besohet të jetë e dashura e Vladimir Putinit. Muajin e kaluar, SHBA-ja shënjestroi vajzat e Putinit, Maria Vorontsova dhe Katerina Tikhonova, së bashku me ish-gruan e tij, Lyudmila Shkrebneva, por Kabaeva - dhe të paktën tre nga fëmijët e saj që besohet se janë të Putinit - u lanë jashtë.
Zyrtarët amerikanë thanë se zonja Kabaeva, një ish-kampione olimpike, e njohur në këtë sport për fleksibilitetin e saj ekstrem dhe një skandal dopingu ndërkombëtar, dyshohet se ka luajtur një rol në fshehjen e pasurisë personale të zotit Putin jashtë shtetit, dhe mbetet një objektiv i mundshëm sanksionesh.
Por, ata po e debatojnë këtë masë, pasi mendojnë se sanksionimi i zonjës Kabaeva do të konsiderohej një goditje kaq personale për Putin, saqë mund të përshkallëzonte më tej tensionet midis Rusisë dhe ShBA-së, edhe pse 69-vjeçari Putin nuk e ka pranuar kurrë një marrëdhënie me Kabaeva, një ish-modele e kopertinës Vogue në rusisht.
Departamenti amerikan i Thesarit, i cili sipas zyrtarëve amerikanë përgatiti paketën e sanksioneve kundër Kabaeva, tashmë në pritje, nuk pranoi të komentojë. Por, ata thanë se veprimi kundër saj nuk është jashtë tavolinës.
Kremlini ka mohuar prej kohësh çdo marrëdhënie mes Putin dhe Kabaeva dhe zëdhënësi i Putin, Dmitry Peskov, nuk iu përgjigj kërkesave për koment. Ndërsa, as Kabaeva, e cila ka mohuar një lidhje me Putin, nuk mund të kontaktohej.