Franca thotë se Netanyahu ka imunitet dhe do të vazhdojë të punojë me të
Franca tha të mërkurën se kryeministri izraelit, Benjamin Netanyahu, ka imunitet, pasi shteti i tij nuk është palë e statuteve të Gjykatës Ndërkombëtare Penale (GjNP) që e ka kërkuar arrestimin e tij dhe se Parisi do të vazhdojë që të punojë ngushtë me të.
Francës i është dashur gati një javë për të dalë me pozicion të qartë rreth kësaj çështjeje, pasi gjykata me seli në Hagë të enjten e javës së kaluar lëshoi urdhërarreste për Netanyahun, ish-ministrin e Mbrojtjes të Izraelit dhe një udhëheqës të Hamasit, raporton agjencia e lajmeve “Reuters”.
Pasi kishte thënë fillimisht se do t’u përmbahej statuteve të GjNP-së, Ministria e Jashtme e Francës e lëmoi këtë në një deklaratë tjetër të lëshuar më 22 nëntor në kohën e shqetësimeve se Izraeli do të mund të hiqte dorë nga përpjekjet për armëpushim në Liban, duke thënë se vërente që vendimi i gjykatës thjesht formalizon një akuzë.
Të mërkurën, kjo ministri tha se Franca do t’i respektojë detyrimet e veta ndërkombëtare, duke u kuptuar se Statuti i Romës, me të cilin është themeluar GjNP-ja, qartëson se një shteti nuk mund t’i kërkohet që të veprojë në një mënyrë që nuk është në përputhje me detyrimet e tij “sa u përket imuniteteve të shteteve që nuk janë palë në GjNP”.
“Imunitete të tilla vlejnë për kryeministrin Netanyahu dhe ministra të tjerë përkatës dhe do të duhet që të merren në konsideratë, nëse GjNP-ja i kërkon arrestimin dhe dorëzimin e tyre” – tha më tej Ministria e Jashtme e Francës.
Ministri i Jashtëm i Francës, Jean-Noel Barrot, bisedoi me homologun e tij izraelit pas lëshimit të urdhërarrestit për Netanyahun nga GjNP-ja të enjten, ndërsa presidenti Emmanuel MAcron foli me Netanyahun të premten për ta përvijuar pozicionin e Parisit, thanë burimet diplomatike.