Franca paralajmëron se BE-ja “mund të shkojë më tej” në hakmarrjen ndaj taksave amerikane - NACIONALE

Franca paralajmëron se BE-ja “mund të shkojë më tej” në hakmarrjen ndaj taksave amerikane

1 vit më parë

nga NACIONALE

Ministri i Çështjeve Evropiane i Francës, Benjamin Haddad, tha të mërkurën se Bashkimi Evropian do të mund të shkonte më tej në kundërpërgjigjen e vet ndaj taksave të vendosura nga Shtetet e Bashkuara, edhe pse një luftë tregtare nuk është në interesin e askujt.

Taksat e shtuara të presidentit amerikan, Donald Trump, ndaj të gjitha importeve të çelikut dhe aluminit hynë në fuqi të mërkurën, duke e ngritur në nivel të ri fushatën për t’i rivendosur normat tregtare globale në favor të ShBA-së, por ky veprim nxiti hakmarrje të shpejtë nga Evropa, raporton agjencia e lajmeve “Reuters”.

Si kundërpërgjigje, Komisioni Evropian tha se do të vendosë kundërmasa ndaj mallrave amerikane me vlerë të 26 miliardë eurove duke filluar nga muaji i ardhshëm.

Komisioni Evropian tha se do t’i japë fund pezullimit të tanishëm të taksave ndaj produkteve amerikane më 1 prill dhe gjithashtu do të paraqesë një pako të re të kundërmasave ndaj mallrave të ShBA-së në mesin e prillit.

“Ne i kemi mjetet për të shkuar më tej, nëse dëshirojmë” – tha ministri Haddad në televizionin TF1.

“Për shembull, nëse vjen një situatë ku ne do të duhej të shkonim më tej, do të mund të përfshiheshin shërbimet digjitale ose prona intelektuale” – shtoi ai.

“Neve na vjen thellësisht keq për këtë masë” – tha në një deklaratë për taksat amerikane presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen.

Lajme të ngjashme