Franca del kundër ShBA-së për sulmet ndaj barkave: E shkelin të drejtën ndërkombëtare
Franca është e brengosur për operacionet ushtarake amerikane në Karaibe, sepse ato e shkelin të drejtën ndërkombëtare, tha të martën kryediplomati francez, Jean-Noel Barrot.
Ushtria amerikane ka kryer të paktën 19 sulme deri më tani kundër barkave të dyshuara për transport droge në Karaibe dhe në pjesën lindore të Oqeanit Paqësor, duke vrarë të paktën 76 njerëz, raporton agjencia e lajmeve “Reuters”.
“Ne i kemi vëzhguar me shqetësim operacionet ushtarake në rajonin e Karaibeve, sepse ato e shkelin të drejtën ndërkombëtare dhe sepse Franca ka një prani në këtë rajon përmes territoreve të saj të jashtme, ku banojnë më shumë se një milion bashkëvendës” – tha francezi në margjinat e samitit të ministrave të jashtëm të Grupit G7 në Kanada.
“Prandaj, ata do të mund të prekeshin nga jostabiliteti i shkaktuar nga ndonjë përshkallëzim, të cilin ne sigurisht se duam ta shmangim” – shtoi ministri Barrot.
Zyrtarët amerikanë thanë të martën se aeroplanmbajtësja më e madhe në botë, “USS Gerald Ford”, ishte vendosur në rajonin e Karaibeve, duke e përforcuar grupin prej tetë luftanijesh, një nëndetëseje bërthamore dhe aeroplanëve të tipit F-35 që tashmë ndodhen atje.
Për të lexuar më shumë rreth këtij zhvillimi, klikoni këtu.