Fotografitë e reja satelitore e shfaqin luftanijen e dëmtuar të Koresë së Veriut
Fotografitë satelitore për herë të parë e kanë shfaqur nivelin e një aksidenti në një liman të Koresë së Veriut, ku u dëmtua një luftanije e re në praninë e udhëheqësit të vendit, Kim Jong Un.
Në fotografi shfaqet luftanija e kthyer në krah, e mbuluar me copa të mëdha të mbulesës së kaltër. Një pjesë e anijes duket se është në tokë, raporton televizioni BBC.
Mediat shtetërore koreane raportuan të premten se ka filluar një hetim zyrtar për aksidentin, të cilin Kimi e përshkroi si “akt kriminal”.
Në asnjërin prej raportimeve nuk u përmend ndonjë viktimë ose person i lënduar si rezultat i incidentit të së enjtes në qytetin bregdetar lindor, Chongjin.
Agjencia shtetërore e lajmeve e Koresë së Veriut, KCNA, e minimizoi dëmin në një raport të së premtes, duke thënë se ai “nuk ishte serioz” dhe se, ndryshe nga raportimet fillestare, nuk kishte vrima në pjesën e poshtme të anijes.
Sipas KCNA-së, menaxheri i limanit, Hong Kil Ho, është thirrur në takim nga autoritetet e rendit dhe se do të nevojiten rreth dhjetë ditë për ta rregulluar anën e dëmtuar të anijes.
Të enjten, Kimi tha se aksidenti u shkaktua nga “pakujdesia absolute, papërgjegjësia dhe empirizmi joshkencor”.
Ai shtoi se personat që i bënë “gabimet e papërgjegjshme” do të trajtohen në një takim plenar muajin e ardhshëm. Nuk është e qartë se me çfarë dënimi mund të ballafaqohen ata.