Fotografia e bërë në Kosovë, në koleksionin e vitit nga agjencia “Reuters”
Fotografia e një shtetaseje amerikane, e veshur me rroba tradicionale boshnjake të nusërisë në një fshat afër Prizrenit, është zgjedhur si fotografi që e përfaqëson Kosovën në koleksionin e fundvitit të agjencisë “Reuters”.
Në fotografinë e shkrepur në gusht të këtij viti nga Fatos Bytyçi shihet Melissa Guerrero, shtetase amerikane me prejardhje meksikane, duke u stolisur nga dy gra për ditën e martesës.
Guerrero ishte mahnitur, kur kishte marrë pjesë në një dasmë gjatë vizitës së saj të parë në fshatin Lubinjë e Ulët të Prizrenit, në vitin 2013, kur ishte takuar me familjen e bashkëshortit të saj të ardhshëm. Aq shumë I kishte pëlqyer tradita, saqë kishte ëndërruar që edhe vetë të martohej në atë mënyrë.
Në gusht të këtij viti, gruaja 30-vjeçare e bëri ëndrrën realitet. E veshur kokë e këmbë në kostum tradicional, me fytyrë të ngjyrosur me të bardhë e me pika të kuqe, të kaltra, ngjyrë ari e ngjyrë argjendi, ajo u martua me Melsid Rexhepin, I cili rrjedh nga një familje boshnjake në Kosovë. Ai kishte vetëm shtatë vjet, kur në Kosovë kishte filluar lufta dhe familja e tij ishte vendosur në Shtetet e Bashkuara.
Përderisa Melissa po përgatitej për ceremoninë e martesës, muzika me zë të lartë me daulle po dëgjohej në prapavijë, ndërsa një grua e moshuar po ia ngjyroste fytyrën, proces që zgjat rreth dy orë. Gjatë kësaj kohe, nusja nuk mund t’i hapë sytë, nuk duhet të falsë me askënd dhe nuk duhet të hajë e të pijë. Kizhinierët që kishin therur një dem të madh, po e përgatisnin gosti për qindra mysafirë.
Popullsia e Lubinjës së Ulët është përgjysmuar nga numri prej rreth tre mijë banorësh para 20 vjetëve, sepse shumë prej tyre kanë emigruar. Korriku dhe gushti janë muajt më të ngarkuar me dasma, sepse shumë njerëz, që e kanë prejardhjen nga ky fshat, kthehen për ta vizituar në atë periudhë dhe bëhen dasma çdo ditë, nganjëherë nga dy në ditë.
Agjencia e njohur e lajmeve ka publikuar një koleksion me 141 fotografi, të titulluar: “Një shtet, një fotografi, një vit”. Shqipëria përfaqësohet në këtë koleksion me një fotografi të një zjarri në natyrë në Bushat të Shkodrës në gusht. Fotografia është shkrepur nga Florion Goga.