Foto-galeri: Kushte të tmerrshme për të varurit nga droga në Afganistan - NACIONALE

Foto-galeri: Kushte të tmerrshme për të varurit nga droga në Afganistan

3 vjet më parë

nga NACIONALE

Qindra burra, të varur nga heroina, opiumi dhe metamfetamina ishin shpërndarë në një kodër nga e cila shihet Kabuli, disa në tenda, disa të shtrirë në tokën e papastër.

Qentë endeshin pa kontroll, sepse burrat u japin nganjëherë drogë. Në mbeturina kishte edhe trupa të qenve të ngordhur nga mbidoza. Edhe burrat bien në agoni, të qetë e të vetmuar, në vijën mes harresës e dëshpërimit, në një anë, e vdekjes, në anën tjetër.

“Një burrë i vdekur është pranë teje”, i tha dikush fotografit të agjencisë “Associated Press”, i cili po mundohej të depërtonte mes njerëzve për të bërë fotografi.

“Ne varrosëm dikë aty më herët”, i tha dikush tjetër pak më poshtë.

Në njërën nga fotografitë, një burrë shihet duke përdorur një shishe për t’i dhënë heroinë një qeni të varur nga droga.

Në një fotografi tjetër, shumë burra shihen të dyndur brenda një kamioni të errët. Ata ishin rrethuar e grumbulluar nga talibanët për t’u dërguar në një kamp për trajtimin e personave të varur nga substancat narkotike.

Përsëri errësirë. Një burrë i armatosur shihet duke e mbikëqyrur rreshtin e personave të varur nga droga, të cilët po dërgohen në repartin e detoksifikimit brenda kampit për trajtimin e të varurve nga droga.

Në një pamje tjetër të trishtueshme, disa burra shihen me rroba të njëjta, me koka të rruara, duke ngrënë me duar nga pjatat me ushqim të njëllojtë./Nacionale

Lajme të ngjashme