Forcat ruse avancuan më tej në Kursk, thonë blogerët pro-rusë të luftës - NACIONALE

Forcat ruse avancuan më tej në Kursk, thonë blogerët pro-rusë të luftës

1 vit më parë

nga NACIONALE

Forcat ruse avancuan më tutje në rajonin Kursk të Rusisë të hënën si pjesë e një operacioni të madh rrethimi me qëllim që të detyrojnë mijëra ushtarë ukrainas që ose të ikin, ose të dorëzohen, thanë blogerët pro-rusë të luftës.

Trupat ukrainase kapën rreth 1.300 kilometra katrorë të rajonit Kursk në gushtin e vitit të kaluar në atë që Kievi thoshte se ishte përpjekje për të fituar avantazh në bisedimet e ardhshme dhe për ta detyruar Rusinë që t’i zhvendoste forcat nga pjesa lindore e Ukrainës, raporton agjencia e lajmeve “Reuters”.

Por nga mesi i shkurtit, Rusia kishte rikthyer nën kontroll të paktën 800 kilometra katrorë të territorit të kapur ukrainas në Kursk dhe ditëve të fundit ka nisur një ofensivë të madhe nga shumë drejtime që rrezikon t’i presë linjat e furnizimit të Ukrainës dhe rrugët e mundshme të tërheqjes.

Blogeri i luftës “Dy Majorët” tha se forcat ruse e kishin pastruar vendbanimin Ivashkovsky dhe se njësitet ruse ishin duke avancuar në të ashtuquajturin “kazan” në Kursk nga të paktën shtatë drejtime.

Yuri Podolyaka, bloger ushtarak pro-rus, tha se ai po ballafaqohej me vështirës për të qenë në rrjedha me zhvillimet, pasi avancimi i rusëve është aq i shpejtë dhe se njësitet ukrainase ishin të ngujuara në disa “xhepa” territoresh në Kursk.

“Gjatë katër ditëve të kaluara, trupat ruse kanë pastruar aq shumë territor në rajonin e Kurskut sa nganjëherë nuk mund ta pastronin as për disa muaj” – tha një bloger rus i afërt me Ministrinë e Mbrojtjes, i njohur me emrin Rybar.

“Fronti është shpuar” – tha Rybari, duke shtuar se forcat ruse po futeshin brenda kufirit ukrainas për t’i bllokuar rrugët kryesore që të nxjerrin nga Kursku për në Ukrainë.

Forcat ruse të dielën kapën tri vendbanime të tjera në Kursk, pasi forcat special u zvarritën me kilometra nëpër një gazsjellës afër qytezës Sudzha në përpjekje për t’i befasuar forcat ukrainase.

Avancimet e forcave ruse gjatë vitit të kaluar dhe përmbysja e politikës amerikane ndaj Ukrainës e Rusisë nga presidenti Donald Trump kanë shkaktuar frikë tek udhëheqësit evropianë se Ukraina do ta humbë luftën dhe se Trumpi po ia kthen shpinën Evropës./Nacionale

Lajme të ngjashme