Forcat izraelite tërhiqen nga Jenini i Bregut Perëndimor pas bastisjes 10-ditore
Forcat izraelite janë tërhequr nga qyteti Jenin i Bregut të pushtuar Perëndimor, raportoi agjencia palestineze e lajmeve, “Wafa”, pas një bastisjeje 10-ditore gjatë së cilës u vranë 21 persona, sipas Ministrisë palestineze të Shëndetësisë.
Një dëshmitar i agjencisë “Reuters” tha se forcat izraelite lanë prapa vetes dëme të mëdha në infrastrukturë, raporton gazeta “The Guardian”.
Përmes një deklarate të publikuar në rrjetin “Facebook”, Ministria e Jashtme palestineze e akuzoi Izraelin për vendosje të shkatërrimit të tij brutal në Bregun e pushtuar Perëndim dhe për shkatërrim të Rripit të Gazës, siç dëshmohet nga gjendja në qytetet Jenin dhe Tulkarm dhe në kampet e refugjatëve atje.
Ndërkohë, televizioni “Al Jazeera” raportoi se bastisjet e forcave izraelite në Bregun Perëndimor vazhduan, përfshirë fshatin Husan, në perëndim të Bethlehemit, ku një grua 20-vjeçare u lëndua nga copëzat e predhave të zjarrit izraelit, përderisa po mundohej të mbyllte një dritare.
Forcat izraelite e bastisën edhe fshatin Beit Tamar, në lidnje të Bethlehemit, dhe kampin e refugjatëve “Balata”, në lindje të qytetit Nablus, ku një palestinez 30-vjeçar u lëndua nga copëzat e predhave.
Kolonët izraelitë, të mbështetur nga ushtarët, i sulmuan fshatrat palestineze Khader Kayed Bani Odeh dhe Khader Shahada Bani Odeh, shtoi televizioni “Al Jazeera”.
Të paktën 39 palestinezë janë vrarë dhe 140 janë plagosur në pjesë të ndryshme të Bregut Perëndimor gjatë operacionit 10-ditor izraelit, sipas autoriteteve shëndetësore palestineze. Ky ishte operacioni më i madh në atë zonë që nga viti 2002.
Shumica e të vdekurve ishin luftëtarë të armatosur, por janë vrarë edhe disa civilë që nuk ishin të përfshirë në përleshje, në mesin e tyre një vajzë 16 vjeçe. Gjatë operacionit është vrarë edhe një ushtar izraelit./Nacionale