Forcat izraelite i detyruan pacientët që të largohen nga spitali në Gaza, thonë mjekët
Trupat izraelite e bënë të detyrueshëm evakuimin e Spitalit Indonezian në veri të Gazës dhe shumë pacientë, disa prej tyre në këmbë, arritën në një spital tjetër disa kilometra larg, në qytetin Gaza, tha të martën Ministria e Shëndetësisë në enklavën palestineze.
Spitali Indonezian është njëri nga pak spitalet në Rripin e Gazës që ende janë duke funksionuar pjesërisht. Ai ndodhet në skajin verior të enklavës, zonë që ka qenë nën trysni të madhe ushtarake izraelite për gati tre muaj, raporton agjencia e lajmeve “Reuters”.
Izraeli thotë se operacioni përreth tri komuniteteve të Gazës veriore që e rrethojnë spitalin – Beit Lahiya, Beit Hanoun dhe Jabalia – ka në shënjestër militantë të Hamasit.
Në një deklaratë të ushtrisë izraelite thuhet se Spitali Indonezian po shfrytëzohej nga luftëtarët për të kryer sulme kundër trupave izraelite dhe se ushtria “e lehtësoi evakuimin e sigurt të civilëve, personelit mjekësor dhe pacientëve nga zona edhe para operacionit, edhe gjatë tij”.
Palestinezët e akuzojnë Izraelin se po synon që në mënyrë të përhershme ta shpopullojë pjesën veriore të Gazës për të krijuar një zonë neutrale, por Izraeli e mohon këtë.
Munir Al-Bursh, drejtor i Ministrisë së Shëndetësisë në Rripin e Gazës të qeverisur nga Hamasi, tha se ushtria izraelite i kishte urdhëruar zyrtarët e spitalit që ta evakuonin ndërtesën të hënën, para se të hynin në të në orët e hershme të së martës dhe t’i detyronin të largoheshin njerëzit që ndodheshin brenda.
Ai tha se dy objekte të tjera mjekësore në pjesën veriore të Gazës – spitalet “Al-Awda” dhe “Kamal Adwan” – gjithashtu ishin subjekt i sulmeve të shpeshta nga trupat izraelite./Nacionale