Forca izraelite tërhiqen nga lindja e Khan-Younisit, palestinezët gjejnë dhjetëra trupa - NACIONALE

Forca izraelite tërhiqen nga lindja e Khan-Younisit, palestinezët gjejnë dhjetëra trupa

1 vit më parë

nga NACIONALE

Mijëra palestinezë u kthyen në shtëpitë e tyre në rrënojat e qytetin kryesor jugor të Gazës, Khan-Younis, të martën, pasi forcat izraelite i dhanë fund një operacioni njëjavor atje, për të cilin thanë se e kishte për qëllim parandalimin e rigrupimit të Hamasit.

Zyrtarët shëndetësorë palestinezë thanë se punëtorët e shpëtimit deri më tani kishin tërhequr 42 trupa të palestinezëve të vrarë gjatë operacionit izraelit në Khan-Younis. Shërbimi Urgjent Civil i Gazës tha se kërkime të tjera ishin duke u zhvilluar, ndërsa raportohet se 200 persona të tjerë ishin ende të zhdukur, shkruan agjencia “Reuters”.

Ushtria izraelite tha se forcat e saj vranë më shumë se 150 palestinezë të armatosur gjatë bastisjes njëjavore, shkatërruan tunele militantësh dhe konfiskuan armë.

Pas tërheqjes së forcave izraelite, njerëzit u kthyen në shtëpitë e tyre në këmbë, me qerre gomarësh e vetura. Shumë prej tyre i gjetën shtëpitë e veta të dëmtuara ose të shkatërruara.

Dëshmitarët thanë se forcat e ushtrisë kishin hyrë me buldozer në varrezën kryesore në Bani Suhaila, qytezë në periferinë lindore të Khan-Younisit që ishte fokus kryesor i bastisjes, si dhe në shtëpi e rrugë afër asaj zone.

“Unë do të kthehem dhe kam besim në Zotin. Nuk di nëse do të jetojmë ose do të vdesim, por krejt është për hir të atdheut” – tha Etimad Al-Masri, që kishte ecur për të paktën pesë kilometra deri në shtëpinë e saj.

“Pavarësisht nga vuajtja, ne jemi durimtarë dhe, me vullnetin e Zotit, do ta kemi fitoren” – shtoi ajo.

Shumë banorë thanë se ishin zhvendosur nga shtëpitë e tyre disa herë.

“Shpresojmë që do të jetë një armëpushim dhe qetësi. Shpresojmë që ata mund të veprojnë për një armëpushim në mënyrë që ne të jetojmë në siguri” – tha Walid Abu Nsaira, duke i mbajtur disa prej gjërave të tij në shpinë, përderisa po kthehej në shtëpi./Nacionale

Lajme të ngjashme