Forca Ajrore e Izraelit kundër shitjes së aeroplanëve F-35 nga ShBA-ja Arabisë Saudite: Mund të preket superioriteti ynë - NACIONALE

Forca Ajrore e Izraelit kundër shitjes së aeroplanëve F-35 nga ShBA-ja Arabisë Saudite: Mund të preket superioriteti ynë

10 muaj më parë

nga NACIONALE

Forca Ajrore e Izraelit ka paraqitur një ankesë të hapur ndaj shitjes së mundshme të aeroplanëve luftarakë F-35 nga Shtetet e Bashkuara në Arabinë Saudite.

Ankesa u dorëzua në një letër formale të pozicionit që iu dërgua udhëheqësve politikë të dielën, ku thuhet se superioriteti i Izraelit në ajër në rajon mund të dëmtohet nga kjo marrëveshje, shkruan gazeta “The Times of Israel”.

Të hënën, presidenti amerikan, Donald Trump, konfirmoi se vendi i tij do t’i shesë aeroplanë të avancuar F-35 Arabisë Saudite. Nëse shitja miratohet, me gjasë do të nevojiteshin shtatë vjet që aeroplanët e parë të dërgohen te blerësi.

Për dokumentin e Forcës Ajrore dorëzuar ligjvënësve nga Forcat e Mbrojtjes të Izraelit raportoi fillimisht medium “Ynet” dhe më pas u konfirmua nga ushtria, e cila tha se “i paraqiti pozicionet e veta rreth çështjes”.

Sipas dokumentit, superioriteti i Izraelit në ajër mund të dëmtohet, nëse shtete të tjera në Lindjen e Mesme e sigurojnë aeroplanin e avancuar luftarak. Izraeli në të kaluarën ka shprehur disa herë shqetësim për këtë çështje.

Izraeli e ka për synim ruajtjen e epërsisë ushtarake cilësore në rajon duke i pasur aeroplanët më të avancuar dhe në të kaluarën ka punuar për ta parandaluar shitjen e aeroplanëve F-35 në shtete të tjera, përfshirë Turqinë dhe Emiratet e Bashkuara Arabe.

Javën e kaluar, gazeta “The New York Times” raportoi se zyrtarë amerikanë të inteligjencës dhe të mbrojtjes gjithashtu ishin të shqetësuar se mundësia e shitjes së këtyre aeroplanëve në Arabinë Saudite do ta dëmtonte mbizotërimin ushtarak të Izraelit në Lindjen e Mesme.

Në raportin e gazetës së njohur amerikane thuhet se ka gjithashtu shqetësime në komunitetin e inteligjencës në ShBA se teknologjia e ndjeshme e aeroplanëve F-35 mund të arrijë në Kinë./Nacionale

Lajme të ngjashme