Florida e ShBA-së po përgatitet për uraganin “Helene”
Uragani “Helene” po bëhet më i fortë, përderisa po i afrohet Floridës së ShBA-së. Shpejtësia e erës të enjten në mëngjes arriti në mbi 140 kilometra në orë.
“Helene” mbetet uragan i kategorisë së parë. Kategoria e dytë fillon, kur era arrin shpejtësi prej më shumë se 155 kilometra në orë, raporton “ABC News”.
Stuhia pritet të arrijë në territorin tokësor pas orës 21:00 sipas zonës kohore lindore të ShBA-së, në juglindje të Tallahassee-s.
Qendra Kombëtare e Uraganeve parashikoi që uragani “Helene” do të jetë i kategorisë së tretë me erë që pritet ta arrijë shpejtësinë prej më shumë se 185 kilometrash në orë, kur të arrijë në territor tokësor.
Vërshimet ekstreme mbeten shqetësim i rëndësishëm në Georgia dhe në dy Karolinat të enjten në mbrëmje dhe të premten në mëngjes.
Qendra e stuhisë është aktualisht në Gjirin e Meksikës dhe po lëviz drejt veriut dhe pritet të arrijë në territor tokësor.