Florida e ShBA-së i ndalon mësimet për orientimin seksual deri në klasën e 12-të
Guvernatori i Floridas, Ron DeStantis, ka shënuar fitore të reja për agjendën e tij që e ka në shënjestër komunitetin LGBT, pasi një bord shtetëror miratoi zgjerim të masave të një ligji të mërkurën, ndërsa organi legjislativ shtetëror miratoi projektligje për trajtimin e tranzicionit gjinor, përdorimin e banjove dhe distancimin e fëmijëve nga shfaqjet “drag”.
Bordi i Arsimit e miratoi ndalimin e udhëzimeve në klasë për orientimin seksual dhe identitetin gjinor në të gjitha klasat, duke e zgjeruar ligjin që e ndalon këtë gjë deri në klasën e tretë, raporton agjencia “Associated Press”.
Ky ndryshim do t’i ndalojë mësimet për orientimin seksual dhe identitetin gjinor nga klasa e katërt deri në klasën e dymbëdhjetë, përpos nëse një gjë e tillë kërkohet nga standardet shtetërore ose si pjesë e udhëzimeve për shëndetin riprodhues, të cilat nxënësit mund të vendosin që të mos i zgjedhin.
Një zëdhënës i Departamentit të Arsimit tha se propozimi do të hyjë në fuqi pas një periudhë për njoftim procedural, e cila zgjat rreth një muaj.
Adminsitrata e guvernatorit DeSantis e çoi përpara këtë propozim muajin e kaluar si pjesë e agjendës konservatore të Partisë Republikane. Guvernatori po mbështetet gjerësisht në përçarjet kulturore para kandidimit të pritshëm për zgjedhjet presidenciale të vitit të ardhshëm.
Masat e reja kanë nxitur reagime nga kritikët, të cilët thonë se ndryshimet i margjinalizojnë njerëzit e komunitetit LGBT dhe kanë terme të paqarta që rezultojnë në vetëcensurim nga mësuesit.
“Në imazhin e Zotit, ai i krijoi ata. Mashkull e femër, ai i krijoi. Njerëz, kjo është e fortë si guri, e pakthyeshme, e provuar nga shkenca dhe komuniteti ynë mjekësor. Pikë”- tha republikani Chase Tramont. “Je ose mashkull, ose femër. Ky nuk është subjekt i opinionit të ndokujt. Është akt i provueshëm”- shtoi ai.
Demokratët thanë se shpërfillja e disforisë gjinore te fëmijët mund të jetë e dëmshme në aspektin psikologjik. Sipas tyre, prindërit dhe mjekët duhet të marrin vendime për trajtimin e jo qeveria.

