Flamuri ukrainas thuhet se po valon në duart e ushtarëve afër qytetit të pushtuar, Liman
Në rrjete sociale është publikuar një video për të cilën thuhet se paraqet ushtarë ukrainas duke e mbajtur në dorë flamurin ukrainas në hyrje të qytezës Liman, ku raportohet se janë rrethuar mijëra ushtarë rusë.
Në videon e publikuar nga shefi i zyrës së presidencës ukrainase, Andriy Yermak – dy ushtarë dëgjohen duke thënë: “1 tetor. Po e shpalosim flamurin tonë shtetëror dhe po e vendosim në tokën tonë.”
“Liman. I tëri do të jetë Ukrainë”, thonë ata në pamjet e publikuara në “Twitter”.
— Andriy Yermak (@AndriyYermak) October 1, 2022
Ushtria ukrainase deri më tani nuk ka konfirmuar zyrtarisht se Limani është rikthyer nën kontroll.
Çfarë po ndodh në Liman?
Një zëdhënës i ushtrisë ukrainase tha të shtunën se Ukraina ka rrethuar mijëra trupa ruse në qytezën Liman, bastion kritik për Moskën, në një operacion që ende është duke vazhduar.
Kapja e kësaj qyteze, të cilën Rusia e ka përdorur si qendër transporti e logjistike për operacionet e saj në veri të rajonit Donetsk, do të ishte hap i madh prapa për planin e Kremlinit për ta aneksuar tërë rajonin industrial të Donbasit, raporton agjencia “Reuters”.
“Grupimi rus në zonën e Limanit është rrethuar”, tha Serhii Cherevatyi, zëdhënës për forcat lindore të Ukrainës.
“Limani është i rëndësishëm, sepse është hapi i radhës drejt çlirimit të Donbasit ukrainas. Është një mundësi për të shkuar më tej për në Kreminna dhe Sievierodonetsk dhe në aspektin psikologjik është shumë e rëndësishme”, tha ai.
Sipas zëdhënësit, numri i përgjithshëm i ushtarëve rusë në Liman është 5.000 deri në 5.500, por shifra e ushtarëve të rrethuar mund të ketë rënë për shkak të pasojave në njerëz dhe përpjekjeve të disa ushtarëve për ta thyer rrethimin.
Ai tha se trupat ruse po bëjnë përpjekje të pasuksesshme për ta thyer rrethimin. “Disa po dorëzohen, kanë shumë të vrarë dhe të plagosur, por operacioni nuk ka përfunduar ende”, tha Cherevatyi.
Një zyrtar i lartë ukrainas ka thënë se trupat ruse në qytezën lindore ukrainase, Liman, kanë kërkuar nga udhëheqësit e tyre që të largohen nga qyteti, por kërkesa u është refuzuar.
Kryetari i rajonit Luhansk, Serhiy Haidai, thotë se ushtarët rusë tash kanë dy mundësi: të mundohen që ta thyejnë rrethimin e forcave ukrainase ose të dorëzohen, raporton televizioni BBC.
Haidai shtoi se gati të gjitha rrugët e tërheqjes dhe furnizimit për në Liman tashmë janë bllokuar.
Pretendimi i tij nuk është vërtetuar në mënyrë të pavarur.
Të premten, Denis Pushilin, udhëheqësi i vendosur nga rusët i rajonit Donetsk, tha se qyteza Liman është “gjysmërrethuar” dhe se forcat ruse po rezistojnë “me pjesën e fundit të fuqisë së tyre”./Nacionale
