Fitorja e Merzit në Gjermani, vjen reagimi i Rusisë - NACIONALE

Fitorja e Merzit në Gjermani, vjen reagimi i Rusisë

1 vit më parë

nga NACIONALE

Kremlini tha të hënën se do t’i duhet të presë dhe të shohë se si do të evoluojnë marrëdhëniet mes Rusisë dhe qeverisë së re gjermane pas fitores së konservatorëve të Friedrich Merzit në zgjedhjet e së dielës, duke thënë se mund të ketë fusha bashkëpunimi me interes reciprok.

Merzi, 69 vjeç, pritet të bëhet kancelar i ri i Gjermanisë, pasi blloku i tij CDU-CSU doli i pari në zgjedhje, ndërsa partia e së djathtës ekstreme, AfD, shënoi rritje historike dhe doli në vendin e dytë pas kolapsimit të aleancës trepalëshe të kancelarit Olaf Scholz, raporton agjencia e lajmeve “Reuters”.

Kur u pyet nëse ardhja e Merzit në pushtet mund t’i lejojë Rusinë e Gjermaninë që të ndërtojnë një marrëdhënie më konstruktive si ajo në kohën e ish-kancelares Angela Merkel, zëdhënësi i Kremlinit, Dmitry Peskov, tha: “Secilën herë (që ka qeveri të re), ne duam të shpresojmë për një qasje më të esëllt ndaj realitetit, për një qasje më të esëllt ndaj atyre që do të mund të ishin çështje me interes reciprok (mes Rusisë e Gjermanisë), përfitime reciproke, por le të shohim se si do të jetë kjo në realitet.”

Rusia ka ofruar 65 për qind të gazit për shtëpitë dhe industrinë gjermane para fillimit të luftës ruse kundër Ukrainës para tre vjetëve, sipas organizatës amerikane “Brookings Institution”.

Gjermania në masë dramatike e ka zvogëluar varësinë e saj nga gazi rus që nga ajo kohë dhe marrëdhëniet mes dy vendeve prej asaj periudhe janë tensionuar më tej për shkak të asistencës ushtarake gjermane për Ukrainën./Nacionale

Lajme të ngjashme