Fitore e Bidenit – Dhoma e Përfaqësuesve e miraton projektligjin për ndryshimet klimatike
Dhoma e Përfaqësuesve e ShBA-së, ku shumica e anëtarëve janë nga Partia Demokratike, të premten miratoi një projektligj 430-miliardësh, që po vlerësohet si pakoja më e madhe për klimën në historinë e Shteteve të Bashkuara, duke i siguruar presidentit Joe Biden një fitore të rëndësishme legjislative para zgjedhjeve të mesit të mandatit, që do të mbahen në nëntor.
Me legjislacionin për luftimin e ndryshimeve klimatike dhe uljen e çmimeve të ilaçeve synohet që të ulet lirimi i gazrave serrë. Ky legjislacion do t’ia mundësojë programit të sigurimeve shëndetësore që t’i negociojë çmimet e ilaçeve për të moshuarit dhe të sigurohet që korporatat dhe të pasurit t’i paguajnë taksat që duhet. Demokratët thonë se ky projektligj do të ndihmojë në luftimin e inflacionit duke e pakësuar deficitin federal, raporton agjencia "Reuters".
Në procesin e votimit, 220 anëtarë të Dhomës së Përfaqësuesve e përkrahën projektligjin, ndërsa 207 të tjerë ishin kundër, kryesisht sipas përkatësisë partiake. Projektligji tashmë është miratuar në Senat dhe do t’i dërgohet presidentit Biden për ta nënshkruar. Ky proces do ta shndërrojë atë në ligj.
Shefi i Shtëpisë së Bardhë tha se do ta nënshkruajë projektligjin javën e ardhshme, ndërsa do të mbahet edhe një festë më 6 shtator në nderim të atij që Bideni tha se është legjislacion historik. “Sot, fitoi populli amerikan. Interesat e posaçme humbën”, tha presidenti amerikan në një postim në rrjete sociale.
Demokratët shpresojnë që legjislacioni do t’u ndihmojë atyre në zgjedhje në nëntor, kur votuesit do ta përcaktojnë baraspeshën e pushtetit në Kongres para zgjedhjeve presidenciale të vitit 2024. Republikanët janë favoritë për ta fituar shumicën në Dhomën e Përfaqësuesve dhe gjithashtu mund ta marrin nën kontroll Senatin, shkruan agjencia “Reuters”.
“Kjo është një fitore kumbuese për familjet e Amerikës”, tha para votimit kryetarja e Dhomës së Përfaqësuesve, Nancy Pelosi, duke e cilësuar legjislacionin “pako të fuqishme që e ul koston dhe përputhet me momentin, duke siguruar që familjet tona ngadhënjejnë dhe që planeti ynë mbijeton”.
Bideni planifikon që të udhëtojë nëpër pjesë të ndryshme të vendit për ta reklamuar projektligjin me një varg të fitoreve të tjera legjislative në kohën kur shumë votuesve u është zbehur përkrahja për presidentin për shkak të rritjes së inflacionit.
Rreth gjysma e amerikanëve e përkrahin legjislacionin për klimën dhe çmimet e ilaçeve, përfshirë 69 për qind të përkrahësve të Partisë Demokratike dhe 34 për qind të përkrahësve të Partisë Republikane, sipas një ankete të agjencisë “Reuters” më 3 dhe 4 gusht.
Bizneset kanë pasur reagime të ndryshme ndaj legjislacionit për shkak të mundësisë për taksa më të larta për disa kompani dhe, në të njëjtën kohë, ofrimit të masave mbrojtëse për industrinë e lëndëve fosile./Nacionale
