Fitoi gati 95 për qind të votave, por presidenti algjerian pretendon për parregullsi
Pasi u shpall fitues i zgjedhjeve në Algjeri, presidenti Abdelmadjid Tebboune iu bashkua dy rivalëve të tij në kritika për autoritetin zgjedhor të vendit, që ka publikuar rezultate që bien ndesh me shifrat e mëhershme të pjesëmarrjes në zgjedhje dhe me shifrat e autoriteteve lokale.
Pretendimet për parregullsi e njollosin atë që më parë dukej fitore e madhe për politikanin 78-vjeçar për një mandat të ri, raporton agjencia “Associated Press”.
Autoriteti i Pavarur Kombëtar i Zgjedhjeve, ANIE, të dielën njoftoi se Tebboune kishte fituar 94,7 për qind të votave në zgjedhjet e së shtunës, duke i lënë shumë larg prapa vetes dy sfiduesit, Abdelali Hassani Cherif, që ka fituar vetëm 3,2 për qind të votave, dhe socialistin Youcef Aouchiche, që ka marrë vetëm 2,2 për qind mbështetje nga votuesit.
Disa orë më vonë, Tebboune iu bashkua kundërshtarëve për ta vënë në pikëpyetje raportimin e rezultatit. Zyrtarët e fushatës së tre kandidatëve lëshuan një deklaratë të përbashkët, me të cilën e akuzuan zyrtarin më të lartë të autoritetit të zgjedhjeve për publikim të rezultateve kundërthënëse.
Nuk është e qartë se çfarë do të ndodhë pas hedhjes së dyshimeve nga të tre kandidatët për parregullsi dhe nëse ato do të nxisin masa ligjore ose vonesa në certifikimin përfundimtar të rezultatit.
Sipas rezultatit të publikuar të dielën, Tebboune-s i jepej një përqindje që ishte shumë më e lartë se 87 për qind të presidentit rus, Vladimir Putin, në zgjedhjet e marsit dhe 92 për qind të Ilham Aliyevit në zgjedhjet e shkurtit në Azerbajxhan.
Sidoqoftë, përpjekjet e presidentit dhe zyrtarëve të pushtetit për ta inkurajuar pjesëmarrjen e lartë në zgjedhje duket se kanë dështuar, pasi në qendra të votimit shkoi më pak se çereku i atyre që kishin të drejtë vote./Nacionale