Finlanda konfirmon aplikimin për anëtarësim në NATO, pavarësisht paralajmërimeve të Putinit - NACIONALE

Finlanda konfirmon aplikimin për anëtarësim në NATO, pavarësisht paralajmërimeve të Putinit

4 vjet më parë

nga NACIONALE

Finlanda ka konfirmuar se do të aplikojë për anëtarësim në NATO, pavarësisht paralajmërimeve nga presidenti rus Vladimir Putin se braktisja e neutralitetit do të ishte një "gabim".

Sipas BBC-së, presidenti Sauli Niinisto e quajti këtë vendim një "ditë historike", duke thënë se ky ndryshim i politikës është në përgjigje të pushtimit rus të Ukrainës.

Ndërkohë, ministrat e Jashtëm të NATO-s thonë se duan një proces të shpejtë pranimi për Finlandën.

Pritet që ditën e hënë edhe Suedia të shpallë aplikimin e saj për bashkim me aleancën.

Finlanda ndan një kufi prej 1,300 km me Rusinë, dhe deri më tani, ajo ka qëndruar jashtë NATO-s për të shmangur antagonizimin e fqinjit të saj lindor.

Të shtunën, Niinisto i telefonoi Putinit për t'i treguar atij vendimin finlandez dhe më vonë tha se telefonata ishte "e drejtpërdrejtë” duke shtuar se "shmangia e tensioneve u konsiderua e rëndësishme".

Duke shpallur vendimin ditën e dielë në Helsinki, presidenti finlandez tha se donte t'i thoshte Putinit se:

“Unë, apo Finlanda, nuk dijmë të bredhim fshehurazi dhe të zhdukemi në heshtje pas një qosheje.”

Parlamenti i Finlandës tani duhet të ratifikojë vendimin, por kryeministrja Sanna Marin tha se ishte e bindur se deputetët do ta debatonin këtë çështje "me vendosmëri dhe përgjegjësi".

Garancitë për siguri

Ministrat e Jashtëm të vendeve të NATO-s, të cilët po takohen në Berlin, janë zotuar të ofrojnë garanci sigurie si për Finlandën ashtu edhe për Suedinë, ndërkohë që aplikimet e tyre për t'u bashkuar me NATO-n po ratifikohen nga të gjitha vendet anëtare - një proces që mund të zgjasë deri në një vit.

Ministrja e Jashtme gjermane Annalena Baerbock tha se nuk mund të ketë një "periudhë tranzicioni, një zonë gri, ku statusi i tyre është i paqartë".

Ndërsa, Putin nuk ka bërë një kërcënim specifik për këtë vendim të Finlandës, por ministria e Jashtme ruse ka treguar se do të ketë hakmarrje, dhe pas këtij vendimi pritet që Rusia mund të pezullojë furnzimin me energji elektrike për Finlandën.

Megjithatë, Finlanda thotë se ka siguruar nga Rusia rreth 10% të energjisë elektrike të saj dhe atë sasi mund ta zëvendësojë nga burime alternative.

Në anën tjetër, zëvendës shefi i NATO-s tha se ishte i bindur se organizata mund të kapërcejë edhe kundërshtimet turke ndaj anëtarësimit të Finlandës dhe Suedisë.

Turqia, një vend anëtar i NATO-s, akuzon të dy vendet nordike se i kanë dhënë mbështetje Partisë së Punëtorëve të Kurdistanit (PKK), e cila ka zhvilluar një luftë të armatosur kundër qeverisë turke për dekada.

Ministri i Jashtëm turk Mevlut Cavusoglu tha të dielën se Suedia dhe Finlanda duhet të ndalojnë mbështetjen e terroristëve në vendet e tyre, të ofrojnë garanci të qarta sigurie dhe të heqin ndalesat e eksporteve ndaj Turqisë.

Ndërsa, sipas mediave turke, Niinisto ka thënë se është i gatshëm të zhvillojë bisedime me presidentin turk Rexhep Tajip Erdogan.

Si Suedia ashtu edhe Finlanda kanë komunitete kurde dhe në rastin e Suedisë disa deputetë kanë origjinë kurde. Turqia nuk ka dhënë prova se këto komunitete kanë lidhje me PKK-në.

NATO, një aleancë ushtarake perëndimore, u themelua në vitin 1949 për mbrojtje kundër kërcënimit nga Bashkimi Sovjetik.

Presidenti Putin ka përmendur synimin e Ukrainës për t'u bashkuar me aleancën si një nga arsyet e pushtimit të fqinjit të saj, Ukrainës.

Lajme të ngjashme