Fillon evakuimi i popullatës nga Mariupoli
Përpjekja e shumëpritur për të evakuuar njerëzit nga fabrika e çelikut në qytetin ukrainas të Mariupol është duke u zhvilluar sot, kanë thënë Kombet e Bashkuara.
Zëdhënësi i OKB-së, Saviano Abreu ka thënë për Associated Press se operacioni për evakuimin e njerëzve nga fabrika e çelikut Azovstal po bëhej me Komitetin Ndërkombëtar për Kryqin e Kuq dhe në koordinim me zyrtarët ukrainas dhe rusë.
Rreth 100,000 njerëz besohet se janë ende në Mariupolin e bllokuar, duke përfshirë deri në 1,000 civilë dhe rreth 2,000 luftëtarë ukrainas nën fabrikën e çelikut të epokës sovjetike - e vetmja pjesë e qytetit që nuk është e pushtuar nga rusët.
Abreu e quajti situatën "shumë komplekse" dhe nuk ka dhënë detaje të mëtejshme. Ashtu si evakuimet e tjera, suksesi i misionit në Mariupol varej nga Rusia dhe forcat e saj.
Njerëzit që kanë ikur nga zonat e pushtuara nga Rusia kanë thënë se automjetet e tyre janë qëlluar. Zyrtarët ukrainas kanë akuzuar vazhdimisht forcat ruse për granatimet e rrugëve të evakuimit për të cilat të dyja palët kishin rënë dakord.
Si shkak i ofensivës me aksione të mëdha të Rusisë në Ukrainën jugore bregdetare dhe në qendrën industriale lindore të vendit, shumë civilë kanë qenë të detyruar të ikin nga sulmet ajrore dhe granatimet artilerike.