Fillojnë në Stamboll bisedimet bërthamore mes Iranit e tri shteteve evropiane - NACIONALE

Fillojnë në Stamboll bisedimet bërthamore mes Iranit e tri shteteve evropiane

1 vit më parë

nga NACIONALE

Delegacionit arritën të premten në mëngjes në konsullatën e Iranit në Stamboll për bisedime sy më sy mes Teheranit dhe të ashtuquajturit grupi E3 – Franca, Britania dhe Gjermania – thanë dëshmitarët e agjencisë së lajmeve “Reuters”.

Diplomatë të lartë të tri shteteve të rëndësishme evropiane pritet që të zhvillojnë bisedime me ekipin negociues të Iranit për herë të parë që nga sulmet amerikane e izraelite ndaj qendrave bërthamore iraniane në qershor, me qëllim të matjes së apetitit të Teheranit për kompromis në mënyrë që t’i shmangë sanksionet.

Para fillimit të bisedimeve, ministri i Jashtëm i Iranit, Abbas Araqchi, tha se pozicioni i vendit të tij mbetet “i vendosur dhe i palëkundur”.

“Pasurimi ynë i uraniumit do të vazhdojë; ne nuk do të heqim dorë nga kjo e drejtë e popullit iranian” – tha kryediplomati iranian në një video të publikuar në mediat shtetërore.

Sipas tij, bisedimet e së premtes janë “vazhdim i diskutimeve të mëparshme dhe bota duhet të kuptojë që pozicioni ynë është i qartë dhe i pandryshuar”.

Teherani thotë se qëllimi i programit të tij për energjinë bërthamore lidhet vetëm me përdorim civil, por fuqitë perëndimore dyshojnë se pasurimi i uranimut në shkallë të lartë mund ta afrojë Iranin te prodhimi i një arme bërthamore.

Lajme të ngjashme