Fico i Sllovakisë thotë se Putini i ka premtuar vazhdim të furnizimit me gaz
Kryeministri i Sllovakisë, Robert Fico, tha të premten se presidenti rus, Vladimir Putin, i ka premtuar vendit të tij se kompania “Gazprom” do të gjejë mënyra alternative për t’ia dërguar Sllovakisë gazin e kontraktuar pas përfundimit të transitit nëpër territorin e Ukrainës.
Fico u takua me Putinin më 22 dhjetor të vitit të kaluar për të diskutuar rreth gazit dhe luftës në Ukrainë, pasi Kievi vendosi që të mos e lejonte rrjedhjen e gazit rus nëpër territorin ukrainas nga 1 janari, raporton agjencia e lajmeve “Reuters”.
Kryeministri sllovak ka kërcënuar me masa hakmarrëse kundër Ukrainës, pasi Sllovakia donte të vazhdonte që të merrte gaz rus përmes Ukrainës që t’i mbante çmimet të ulëta dhe të vazhdonte të fitonte të hyra nga transiti i gazit nëpër territorin e vet drejt Evropës.
“Unë fola me Putinin për një kontratë mes nesh dhe Gazpromit, e cila thotë se ata duhet disi të na e dërgojnë gazin neve. Ne jemi në gjendje që të shtyjmë diçka përmes rrjedhës jugore (rruga përmes Turqisë), por deri më tani kemi rezerva, konsumi sllovak është i siguruar” – tha Fico në një komision parlamentar.
Fico më tej tha se Putini garantoi që Rusia do t’i përmbushte detyrimet e veta, edhe pse kapaciteti në gazsjellësin “TurkStream” dhe rruga lidhëse që e dërgon gazin rus përmes Turqisë drejt Evropës janë të kufizuara.
“Presidenti Putin garantoi se ata do t’i mbajnë zotimet e tyre” – tha kryeministri sllovak. Sipas tij, një pjesë e gazit mund të dërgohet përmes Evropës Perëndimore, duke iu referuar lidhjeve të Sllovakisë në rrjete gazi në fqinjët qendrore dhe perëndimorë evropianë./Nacionale