Ferma solare në Kosovë bëhet lajm pozitiv në agjencinë “Reuters”
Kur punëtorët në një fermë të energjisë solare në Kosovë lodheshin duke e harxhuar energjinë për ta prerë barin përreth paneleve solare, ata zgjodhën një makinë më të gjelbër dhe shumë më të fuqishme për këtë punë: një tufë delesh.
Më shumë se 100 dele e disa dhi kullosin dy herë në javë në fermën solare në Roganë, afër qytezës së Kamenicës, në lindje të Kosovës, ku janë të instaluara mbi 12 mijë panele diellore.
“Punëtorët kuptuan se kositja e fushave ishte shumë e vështirë, më pyetën nëse do të mund t’i sillja delet e mia”- tha bariu 72-vjeçar, Rexhep Rrudhani, përderisa po i drejtonte delet për të kullotur nën panele. “Delet i hanë të gjitha llojet e barit këtu, barin e mirë e barin e keq dhe pastrojnë çdo gjë. Të gjithë po përfitojmë”- tha ai.
Kosova ka 12 deri në 14 miliardë tonë rezerva të dëshmuara të linjitit dhe për këtë e zë vendim e pestë në botë. Më shumë se 90 për qind e energjisë elektrike prodhohet nga thëngjilli dhe pjesa tjetër nga burimet e ripërtëritshme, kryesisht energji diellore dhe nga era.
Ky shtet synon që të heqë dorë nga prodhimi i energjisë përmes thëngjillit nga viti 2050.
“Nuk po harxhojmë benzinë për makinat për prerjen e barit”- tha Arbër Maliqi, menaxher i qendrës solare.
“Prodhimi i energjisë nga Dielli dhe prerja e barit përmes deleve nënkuptojnë që gjërat këtu janë bërë të gjelbra dy herë”- shtoi ai.