Favoritja absolute për kryeministre të Britanisë akuzohet se e ka fyer Macronin - NACIONALE

Favoritja absolute për kryeministre të Britanisë akuzohet se e ka fyer Macronin

3 vjet më parë

nga NACIONALE

Sekretarja e Jashtme e Britanisë së Madhe dhe kandidatja favorite për t’u bërë kryeministre e vendit së shpejti, Liz Truss, është akuzuar për fyerje ndaj presidentit francez, Emmanuel Macron.

Ajo tha se “juria është ende jashtë”, shprehje për diçka që është ende e paqartë, kur u pyet nëse presidenti francez është mik apo armik i Mbretërisë së Bashkuar.

Kryediplomatja britanike shtoi se, nëse zgjidhet kryeministre, do ta gjykojë Macronin sipas veprave e jo sipas fjalëve, raporton televizioni BBC.

Megjithatë, David Lammy i Partisë Laburiste në opozitë e akuzoi zonjën Truss për “mungesë të mjerë të gjykimit”, duke thënë se ajo e ka fyer njërin nga “aleatët më të ngushtë të Britanisë”.

Truss, e vlerësuar gjerësisht si favorite për kryetare të Partisë Konservatore dhe kryeministre, i bëri këto komente në një tubim zgjedhor të garës brenda partisë në Norwich. Fjalët e saj u pasuan me duartrokitje të fuqishme.

Kur iu bë pyetja e njëjtë, rivali i saj për kryetar të Partisë Konservatore, Rishi Sunak, tha se presidenti francez është mik i Britanisë.

Ish-ministri nga radhët e Partisë Konservatore, Gavin Barwell, gjithashtu e vuri në pikëpyetje komentin e zonjës Truss duke thënë: “Do të kishim menduar që sekretarja e Jashtme është e vetëdijshme që ne jemi në një aleancë ushtarake me Francën.”

Mbretëria e Bashkuar dhe Franca janë përplasur për disa çështje në vitet e fundit, përfshirë kalimin e imigrantëve me barka nëpër Kanalin Anglez, paktin ushtarak mes Britanisë, ShBA-së e Australisë si dhe masat e Brexit-it. Presidenti francez nganjëherë e ka kritikuar publikisht qasjen e qeverisë konservatore britanike.

Dy rivalët për kryetar të Partisë Konservatore u pyetën edhe se kush do të ishte kryeministër më i mirë – kryeministri në largim, Boris Johnson, apo rivali i njëri-tjetrit. Sunak-u e zgjodhi zonjën Truss, duke argumentuar se është me rëndësi për vendin që të shkojë përpara. Sidoqoftë, zonja Truss e zgjodhi kryeministrin aktual, duke marrë duartrokitje nga anëtarët e partisë që ishin të pranishëm në tubim.

Dy kandidatëve, mes tjerash, iu bë edhe një pyetje më ndryshe: me kë do të parapëlqenin që të mbeteshin të bllokuar në ashensor: udhëheqësin e opozitës, Keir Starmer, apo ministren e Parë të Skocisë, Nicola Sturgeon.

Zonja Truss e zgjodhi ministren e Partë të Skocisë, duke shpresuar se do ta bindte atë “që të mos jetë më separatiste”. Ajo shtoi se bllokimi në ashensor me udhëheqësin e opozitës do të ishte “tepër i mërzitshëm”.

Në anën tjetër, kandidati Sunak tha se do t’i përdorte shkallët.

Përktheu: Nacionale/Nasuf Abdyli

Lajme të ngjashme