Favoriti për kancelar të Gjermanisë kërkon shtypje të migrimit pas sulmit me thikë
Udhëheqësi kryesor opozitar në Gjermani, Friedrich Merz, të enjten kërkoi rishikim të gjerë të politikës së migrimit dhe kontrolle të përhershme kufitare, një ditë pasi një azilkërkues afgan u arrestua për një sulm vdekjeprurës me thikë, në shënjestër të të cilit ishin fëmijët, pak javë para zgjedhjeve federale.
Merz-i, që pritet të bëhet kancelar pas zgjedhjeve të 23 shkurtit, tha se ky sulm, në të cilin u vra një djalë 2 vjeç dhe një kalimtar i moshës së rritur, nuk mund të bëhet normale e re, duke shtuar se të gjithë “imigrantët e paligjshëm” duhet të kthehen prapa në kufi, raporton agjencia e lajmeve “Reuters”.
“Ne ballafaqohemi me rrënojat e një politike të gabuar 10-vjeçare të azilit dhe imigrimit në Gjermani” – tha ai para gazetarëve, duke i kritikuar rregullat e Bashkimit Evropian për emigrantët si “jofunksionale”.
Merz-i bëri thirrje për tërheqje nga parimi i lëvizjes së lirë i zonës së Shengenit brenda bllokut, duke u zotuar se do të urdhërojë kontrolle të përhershme në të gjithë kufijtë e Gjermanisë që nga dita e parë e tij në pushtet, nëse i fiton zgjedhjet.
“Do të jetë një de fakto ndalim i hyrjes në Republikën Federale të Gjermanisë për të gjithë ata që nuk kanë dokumente të vlefshme të hyrjes” – premtoi gjermani Merz.
Sulmi me thikë i së mërkurës i shtohet listës së sulmeve të dhunshme në Gjermani që e kanë shtuar shqetësimin rreth imigrantëve dhe e ka rritur përkrahjen për partinë e së djathtës ekstreme, Alternativa për Gjermaninë (AfD), e cila në sondazhe po del e dyta, pas konservatorëve të Merz-it.
I dyshuari për sulmin e së mërkurës, një shtetas afgan 28-vjeçar, ka histori të sjelljes së dhunshme dhe ishte duke iu nënshtruar trajtimit psikiatrik. Ai pritej të dilte para një gjykatësi të enjten pasdite. Gjykatësi do të vendosë rreth mbajtjes së tij në paraburgim.
Të dyshuarit i ishte mbyllur procesi i azilit dhe kishte thënë se do të largohej nga Gjermania vullnetarisht në dhjetor, por nuk ishte larguar dhe kishte mbetur nën trajtim, tha ministri rajonal i Punëve të Brendshme i Bavarisë./Nacionale