Familja taxhike me katër fëmijë shuhet nga monoksidi i karbonit, po mundohej ta ngrohte shtëpinë
Një familje e tërë është shuar në kryeqytetin e Taxhikistanit, Dushanbe, përderisa po mundohej që ta ngrohte shtëpinë e ftohtë me një stufë me thëngjill, duke e vënë në pah rrezikun që po e paraqet ndërprerja e rrymës në shtetin e Azisë Qendrore.
Më 28 shkurt u mbajt funeral për çiftin dhe katër fëmijët e tyre. Ata vdiqën më 27 shkurt, të martën, nga helmimi me monoksid karboni, raporton Radio “Evropa e Lirë”.
Taxhikistani po ballafaqohet me ndërprerje të gjera të rrymës, duke i lënë banorët në vështirësi për t’i ngrohur shtëpitë e tyre.
“Po bëhet terr, jemi pa rrymë. Vajza ime nuk mund të shkojë në shkollë. Ajo është e sëmurë” – tha Sadafmo Safarova, banore e kryeqytetit taxhik. “Ajo ka dhimbje fyti dhe ethe. Çfarë mund të bëj unë? Vuaj nga diabeti, që më shkakton dhimbje në këmbë. Jemi të privuar nga nevojat themelore” – shtoi ajo.
Ndërprerja e rrymës prek rreth 70 për qind të popullsisë së këtij shteti. Zyrtarët mundohen që të organizojnë orare të ndërprerjeve, por shërbimi është kaotik.
“Ne s’kemi ujë në banesat tona, prapëseprapë faturat e rrymës dhe të ujit vijnë rregullisht. A nuk e kanë frikë Zotin ata [zyrtarët]?”- tha një grua tjetër.
“Jetojmë në kryeqytet, në Dushanbe. Nëse do të jetonim në një fshat të largët, do të mund t’i kuptonim kushtet, por pse është kështu në Dushanbe” – tha e zemëruar një zonjë tjetër.
“Janë bërë pesë ditë që nga fillimi i ndërprerjeve. Nuk kishim rrymë gjatë natës me borë. Shikoji fëmijët, po ngrihen. Ata mbledhin ujë nga shtëpitë fqinje” – shtoi ajo.
Zyrtarët thonë se ndërprerjet e rrymës janë për shkak të nivelit të ulët të ujit në hidrocentrale.
Tifozët e kombëtares taxhike të futbollit ishin zhgënjyer në janar. Përderisa po e shikonin ekipin e tyre në televizor duke garuar në Kupën e Azisë, rryma ishte ndalur.